Bonusi vjetor, sa do përfitojnë pensionistët! Deri në dhjetor do të ndahen rreth 7.8 miliardë lekë

Shqipëria

Bonusi vjetor, sa do përfitojnë pensionistët! Deri në dhjetor do të ndahen rreth 7.8 miliardë lekë

Më: 25 shtator 2024 Në ora: 11:23
Foto ilustrim

Qeveria ka ndarë veç rreth 7.8 miliardë lekë, ose rreth 78 milionë dollarë që do të jepen për pensionistët, ku përfshihet edhe fondi për bonusin apo shpërblimin, që ndahet me rastin e festave të fundvitit.

Konkretisht janë rreth 4.1 miliardë lekë që do të përdoren për indeksimin dhe 3.7 miliardë të tjera që do të shkojnë për bonusin. Shuma e fundit është e njëjtë me fondin e përvitshëm nga i cili pensionistët nuk kanë marrë më shumë se pesë mijë lekë. Kreu i qeverisë, Edi Rama dhe ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhe në deklaratat e ditëve të fundit kanë premtuar një bonus më të lartë nga vitet e kaluara.

“Duke filluar nga ky vit, bonusi i fundvitit për pensionistët do të jetë më i lartë se sa ai tradicionali. Ne kemi një ekonomi që mund të na e japë atë që duhet të marrim prej saj, për t’ua kaluar pensionistëve”, – deklaroi Rama nga një takim me aplikanët e platformës “Deputeti që duam”.

“Nga fundi i vitit me një bonus që do të jetë i rishikuar, me një rritje, e më tej me një dialog e komunikim të gjerë, që do të fillojë nga mesi i muajit tetor me disa institucione dhe palët e interesuara, që do na nxjerrë në një rishikim e rezultatet për të gjeneruar rritje të të ardhurave të kësaj skeme”, – tha ministri Gonxhe teksa bëri publike javën e kaluar masën e indeksimit të pensioneve për këtë vit.

Viti 2023 u mbyll me 705 mijë pensionistë, por të dhënat më të fundit për vitin 2024 tregojnë se numri ka arritur në 720 mijë. Me këtë indeksim, pensioni social arrin në 9710 lekë në muaj, ndërsa pensionet plota të pleqërisë dhe invaliditeti nuk do të jenë më pak se 17.900 lekë. Në të njëjtën masë do të nisin dhe pensionet e parakohshme. Përfitues të indeksimit do të jenë edhe ata pensionistë që dalin në pension gjatë muajit tetor 2024.

Indeksimi dhe bonusi

Sa i takon fondit për tri vitet e ardhshme, për vitin 2025 janë parashikuar të shpenzohen 7.9 miliardë lekë, ose 126 milionë lekë më tepër. Për vitin 2026 janë planifikuar rreth 8.3 miliardë lekë dhe pas tri vitesh, pra në 2027-ën, fondi i dedikuar për rritjen e pensioneve do të jetë 8.8 miliardë lekë, duke njohur një rritje me gati 13 për qind. Por, kjo nuk do të thotë domosdoshmërish më shumë para në xhepat e pensionistëve, për vetë faktin që fondi vjetor është i lidhur më së shumti me rritjen e numrit të personave që dalin në pension. Aktualisht janë rreth 700 mijë të moshuar në skemë, por në 2027-ën numri i tyre pritet të jetë më i lartë. Në këto kushte, edhe fondi që shkon në adresë të pensionistëve parashikohet të vijë në rritje.

Reforma

Brenda këtij viti, madje përpara kohës së paracaktuar, pritet të prezantohet edhe reforma e re e pensioneve. Prej muajsh, me asistencën edhe të Bankës Botërore, qeveria është duke punuar për hartimin e një skeme të re, që do të amortizojë problematikat e shfaqura përgjatë 10 viteve, duke mundësuar në të njëjtën kohë pensione dinjitoze për të moshuarit, që janë aktualisht në skemë, por edhe ata që dalin rishtazi. Vetë Kryeministri Rama, në një dalje publike ka bërë të ditur se me rishikimin e skemës, nuk do të ketë më pensione nën kufirin apo pragun e 150 eurove. Aktualisht janë rreth 140 mijë të moshuar, kryesisht në zonat rurale, që kanë një masë pensioni më pak se 150 euro në muaj e që do të preken nga këto ndryshime. “Sfidë personale do të jetë adresimi i çështjeve të pensioneve, një çështje që na përket të gjithëve, pa ngjyrim majtas apo djathtas. Po punojmë edhe me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të gjithë skemën e pensioneve, e cila nuk është në ditët më të mira të saj. Na duhet një skemë e dukshme që siguron pensione më të larta për njerëzit. Problem është skema aktuale e pensioneve, që do të duhet ta rishikojmë. Kemi ngritur grupet e punës dhe po punojmë me ekspertë të Bankës Botërore. Këtu flas jo vetëm për indeksimin e pensioneve”, – deklaroi ministri i Financave, Petrit Malaj.

PENSIONET QE PERFITOJNE

INDEKSIM DHE BONUS


Pensionet e kooperativave

Pensionet sociale

Pensionet e invalidëve të luftës

Pensionet e caktuara me dekret

Pensionet e caktuara nga sigurimet shoqërore

Pensione suplementare

Pensionet e familjeve të pilotëve që humbin jetën

Pensionet e oficerëve

Pensionet e minatorëve

Pensionet e atyre që kanë punuar nën tokë

Pensionet e ushtarakëve

Pensionet e akademikëve

Pensionet e personave që kryejnë funksione kushtetuese

Pensionet e invalidëve

Pensione të veçanta

Pensionet për fëmijët në përkujdesje të shtetit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat