Shqipëria ftohet ta hapë kapitullin e parë në bisedimet për anëtarësim në BE

Shqipëria

Shqipëria ftohet ta hapë kapitullin e parë në bisedimet për anëtarësim në BE

Më: 26 shtator 2024 Në ora: 12:20
Foto ilustrim

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) janë pajtuar njëzëri për ta hapur kapitullin e parë në negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë më 15 tetor.

Hungaria, e cila mban presidencën gjashtëmujore të BE-së, u ka dërguar një letër vendeve anëtare të bllokut, në të cilin theksohet ato janë pajtuar se Shqipëria i ka përmbushur kushtet e nevojshëm për hapjen e këtij kapitulli, i cili ka të bëjë me të drejtat themelore, raporton Radio Evropa e Lirë.

Sipas metodologjisë së re të procesit të zgjerimit të BE-së, kapitujt që kanë të bëjnë me të drejtat themelore dhe sundimin e ligjit duhet të hapen në fillim, pasi në procesin e negociatave duhet të ketë më shumë kohë për t’i përmbushur kriteret edhe për t’i mbyllur kapitujt.

Ky është kapitulli i parë nga 33 në përgjithësi që Shqipëria duhet t’i hapë dhe mbyllë për t’u anëtarësuar në BE.

Presidenca hungareze e BE-së ka thirrur të ashtuquajturën Konferencën Ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipërisë për 15 tetor, ku edhe do të hapet ky kapitull.

Vendimi për hapjen e kapitullit të parë në negociatat me Shqipërinë shënon edhe ndarjen e paketës në të cilën joformalisht ishin së bashku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Për disa vite me radhë njëri nga këto shtete është mbajtur peng edhe nëse i kishte përmbushur kushtet duke pritur vendin tjetër t’i plotësonte kushtet.

Por, tani Shqipëria do të vazhdojë drejt BE-së ndaras nga Maqedonia e Veriut, rruga e të cilës vazhdon të jetë e bllokuar.

Formalisht procesi i zgjerimit është një proces i bazuar në meritat individuale të vendeve kandidate në përmbushjen e kushteve, por nga aspekti politikë, nganjëherë, në BE duan që më shumë vende të avancojnë në të njëjtën kohë.

Vendet anëtare në BE nuk kanë arritur pajtim për hapjen e kapitujve të parë me Maqedoninë e Veriut, pasi Qeveria e re e këtij vendi nuk ka lëvizur drejt përmbushjes së kushtit lidhur me marrëdhëniet e saj me Bullgarinë, një vend anëtarë i bllokut, i cili ka disa çështje të hapura me Maqedoninë e Veriut.

Maqedonia e Veriut duhet ta ndryshojë Kushtetutën e vet për ta futur në të pakicën bullgare si popull shtetformues.

Pasi së shpejti në Bullgari pritet të zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme, diplomatët në BE janë të mendimit se nuk ka shumë mundësi që Bullgaria të heqë dorë nga kundërshtimi i saj.

Në BE thonë se Shqipëria tani ka gjasa të mëdha të lëvizë përpara dhe në dhjetor mund të hapë edhe disa kapituj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat