Takimi me drejtuesit e Institucioneve të Pavarura/ Spiropali: Pandëshkueshmëria e pakthyeshme! Koha për më shumë drejtësi për qytetarët

Shqipëria

Takimi me drejtuesit e Institucioneve të Pavarura/ Spiropali: Pandëshkueshmëria e pakthyeshme! Koha për më shumë drejtësi për qytetarët

Më: 26 shtator 2024 Në ora: 13:36
Elisa Spiropali

Paraditen e sotme në Kryesinë e Kuvendit u zhvillua takimi i Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, me drejtuesit e Institucioneve të Pavarura.

Pjesë e takimit ishin ambasadori britanik në Tiranë, Nick Abbot, ambasadori holandez, Reinout Vos, si dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato.

Gjatë fjalës së saj, kreparlamentarja tha se pandëshkueshmëria është e pakthyeshme, ndërsa ashtoi se ka ardhur koha për më shumë drejtësi për qytetarët. Ndër të tjera, Spiropali bëri thirrje që bashkë me institucionet e pavarura të rritet transparenca.

Fjala e plotë e Elisa Spiropalit:

Si gjithçka që ka traditë dhe historik të së shkuarës, edhe ky takim i përbashkët me të gjithë drejtuesit e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të krijuara me ligj, ka një shans të çmuar të krijojë dobi në të ardhmen.

Të çmuar konsideroj gjithashtu, praninë e partnerëve e miqve ndërkombëtarë, që bashkëpunojnë me ne në Kuvend për projekte dhe procese të rëndësishme.
Ndihmesa e tyre ka qenë gjithmonë e lutur dhe e mirëpritur, dhe në këtë moment, ata janë edhe pjesë e diskutimeve për një mision të përbashkët: mbrojtjen e interesit publik dhe garantimit e respektimit të të drejtave e lirive themelore të njeriut, promovimin e demokracisë, sigurimit të mirëqenies sociale për qytetarët, thellimin e luftës ndaj korrupsionit
dhe sundimin e ligjit.

Kjo frymë dhe filozofi e të ardhmes, e urdhëruar nga ligji i epërm i shtetit shqiptar, Kushtetuta, dhe bazë e filozofisë sonë politike është dhe orientimi ynë bazik që udhëheq të përditshmen tonë, në shndërrimin përfundimtar dhe të pakthyeshëm të kësaj copëze të Ballkanit, në Evropën e gadishullit.

Kjo tryezë e përbashkët që rrjedh nga detyrimet e Kuvendit të Shqipërisë të miratuara në 2017 dhe 2018 ka në fokus rolin e mekanizmit për monitorimin sistematik të ndjekjes e zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të krijuara me ligj, dhe Manualin e Raportimit Vjetor dhe Periodik.

Një proces në të cilin, kontributi i institucioneve të pavarura, është thelbësor për realizimin e funksionit mbikëqyrës të Kuvendit të Shqipërisë nda ekzekutivit dhe institucioeve të tjera.

Institucionet e pavarura që ju drejtoni janë instrumente jashtëzakonisht të rëndësishme në funksionimin e shtetit të së drejtës dhe si të tilla, rekomandimet e ardhura nga ju, janë pika referimi për rolin monitorues të Kuvendit.

Bashkëpunimin reciprok dhe asimetrik me ju e kam konsideruar si një nga prioritetet më themelore të punës time si Kryetare e Kuvendit, që ditën e zgjedhjes në këtë detyrë dhe po kështu, edhe në nisje të sesionit të ri parlamentar.

Baza e krijuar nga tradita është e mirë, ndaj më lejoni të besoj se ekziston një vullnet i fortë politik, më i gjerë se baza politike e një shumice, që bashkëpunimi ynë të ngrihet në një nivel cilësisht më të lartë.

Të nderuar drejtues
Kam ndjekur për çdo vit me shumë vëmendje raportimet tuaja në komisione e seancat plenare dhe kam vlerësuar e vlërësoj seriozitetin, korrektesën dhe përgjegjshmërinë e parashtrimit të arritjeve, mosrealizimve, sfidave dhe vështirësive që përballoni.

Dinamika e zhvillimeve dhe e detyrimeve të proceseve integruese krijon ngutin dhe nevojën për një sinergji më të shpeshtë ndërveprimi Kuvend-institucione të pavarura, përtej raportimit periodik vjetor.
Procesi screening ishte një ushtrim i mirë që evidentoi këtë domosdoshmëri për të parë me vëmendje të shtuar, si rekomandimet, ashtu edhe detyrat që miratohen përmes rezolutave.

Kuvendi ka një rol udhëheqës në procesin e anëtarësimit në BE, si garantues i legjitimitetit demokratik dhe karakterit gjithëpërfshirës të procesit.
Por legjitimiteti dhe gjithëpërfshirja janë të lidhura me kontributin dhe bashkëpunimin tuaj me Kuvendin.
Si dhe sa? Kur? Çfarë? Në çfarë mënyre dhe deri ku?
Këto janë disa pyetje relative dhe mjaft delikate, përgjigja e të cilave është dinamike.
Një bashkëpunim që nuk kalon nga ndikimi dhe një liri që nuk përfshin anarkinë, pavarësi në vendimmarrje, por që nuk toleron pavarësinë nga ligji.
Nga kjo anë mund të pranojmë që nuk kemi trashëguar traditën më të mirë të mundshme historike, ku pushtetet apo edhe institucionet e pavarura, ku më shumë e ku më pak, ku më dukshëm dhe ku pak më fshehurazi, janë konsideruar gjithmonë si zgjatime të pushtetit politik të radhës.
Çka krijon në pamje të parë një epërsi të atij pushteti, por godet e dëmton rëndë produktin e përbashkët të punës së tyre.

Besoj se reforma në drejtësi, frutet e para të institucioneve të drejtësisë, janë shembulli më i mirë se çfarë energjie institucionale çlirohet kur filozofia e pavarësisë së institucioneve vihet në jetë.
Pakkush mund të mendonte dikur se një pushtet i konceptuar tërësisht ndryshe, si pushteti gjyqësor, tashmë është pjesë e mekanizmit funksionues kushtetues të ekuilibrit dhe kontrollit, duke i dhënë një dinamikë krejt të re gjithë jetës së shoqërisë shqiptare.

Ajo çfarë ishte dikur e paimagjinueshme, ajo çfarë konsiderohej si tabu e paprekshme dhe që bënte të paprekshëm një grusht qytetarësh shqiptarë të veshur me pushtet politik, tashmë i përket së kaluarës.
Pandëshkueshmëria si kulturë dhe status, si imunitet dhe epërsi të ca pakëve mbi të gjithë, është goditur në mënyrë të pakthyeshme.
Ky është gjithashtu shembulli më i qartë sesi Kuvendi i Shqipërisë dhe qeverisjet e vendit kanë kryer detyrën, natyrisht të asistuar në mënyrë të paçmuar nga parnterët tanë.

Eshtë bërë shumë, por ndoshta po aq shumë nevojitet të bëhet për të garantuar procesin e dhënies së drejtësisë në mënyrë kapilare për qytetarin shqiptar, përtej çdo dileme dhe në mënyrë sa më të shpejtë të mundshme.

Dhe kjo nuk është thjesht një detyrë. Ky është një mision, ku si ndoshta askund tjetër, marrëdhënia e Kuvendit me institucionet e pavarura të sistemit të drejtësisë, duhet të jetë e qëndrueshme, dinamike, reciproke dhe secili në kufinjtë e vet të ushtrimit të pushtetit, siç dikton kushtetuta.

Dhe duke përshkruar të gjithë tablonë, unë e kuptoj bashkëpunimin e Kuvendit me institucionet e pavarura si një mbështetje e tij për ju në plotësimin sa më mirë të misionit dhe objektivave tuaja kushtetuese.
Kjo mbështetje është në radhë të parë politike.

Ndaj institucioneve të pavarura, si roje të interesit publik e qytetar, Kuvendi ka dhënë dhe do të vijojë të japë institucionalisht dhe publikisht, të gjithë mbështetjen e nevojshme.
Në mënyrë ciklike dhe të përditshme.
Në frymë dhe filozofi.
Me kufinj të ndarë detyrash dhe qëllim të njëjtë si thelb.
Mbështetja jonë ka qenë dhe do të jetë ligjore. Kuvendi ka miratuar, kur e ka çmuar si akt të duhur, ndryshimet ligjore të propozuara nga ju dhe ka vullnet të plotë dhe është totalisht i hapur të diskutojë dhe miratojë iniciativa të reja ligjore kur ato janë të nevojshme.

Po kaq të rëndësishmedo të konsideroja edhe garantimin e mbështetjes institucionale, e cila as nuk nis dhe as nuk përfundon tek procesi i raportimit në Kuvend dhe me rezolutat e miratuara prej tij.

Kuvendi i Shqipërisë është një derë e hapur për të gjithë ju; është një derë që hapet që në trokitjen e parë.
Përtej çdo retorike jam e bindur se ndajmë të njëjtën ide se bashkëpunimit transparent mes nesh, do t’i shërbejë edhe konfigurimi i plotë i Platformës Ndërinstitucionale Online Kuvend-Qeveri-Institucione të Pavarura, platformë që duhet të përfshijë të gjitha institucionet.

Unë dëshiroj të shpreh qartë fokusin tonë afatshkurtër për përfundimin e procesit të plotësimit të vakancave të reja apo ato të hershme, të trashëguara në insitucionet tuaja.

Funksionimi i rregullt i institucioneve të pavaruara varet në një masë të konsiderueshme edhe nga mbështetja financiare dhe me burimet e tjera të nevojshme për përditshmërinë tuaj.

Kuvendi është kujdesur të rrisë progresivisht mbështetjen buxhetore për institucionet tuaja, në radhë të parë për institucionet e drejtësisë dhe ky proces do të ketë kurdoherë vëmendje për t’ju përgjigjur kërkesave në rritje e në dobi të rezultateve që priten nga ju.

Në krahasim me vetëm tre vite më parë, mbështetja buxhetore për institucionet e reja të drejtësisë, është pothuajse dyfishuar.
Në krahasim me po të njëjtin interval kohor, kapacitetet administrative për institucionet e pavarura janë shtuar me disa qindra punonjës të rinj.
Sërish përtej retorikës, ky sforcim financiar, në pamje të parë edhe i zhbalancuar e në raport jo të drejtë me segmente të tjerë të shoqërisë, është dëshmi e faktit të thjeshtë: vullneti ynë, premtimi dhe veprimi janë realitete paralele e të prekshëm.

Të nderuar pjesmarrës,
Më lejoni që të sjell në vëmendjen tuaj disa çështje të ndjeshme.
Gjatë viteve të fundit Shqipëria ka pasur arritje të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke bërë të mundur daljen e saj nga lista gri e maneyval.
Emergjenca jonë besoj se kërkon fuqizimin e mëtejshëm të institucioneve dhe garantimin e bashkëpunimit më të ngushtë me agjencitë ndërkombëtare, duke përfshirë prokurorinë, policinë dhe institucionet financiare.

Duke ju përgjigjur sfidave të ditës, është e qartë se krimi kibernetik është një sfidë që duhet adresuar qartë.
Ne po vlerësojmë nëse nevojitet përmirësimi i legjislacionit, por gjykojmë se rreshtimi në një font me partnerët tanë, siç edhe ka ndodhur deri më tani, kërkon përpjekje cilësisht të reja në përgjigjen ndaj kësaj figure të krimit.

Eshtë e një rëndësie të posaçme që administrata publike të vijojë me implementimin e reformave të thella për të përmirësuar efektivitetin e saj dhe të konsolidojë besimin e qytetarëve, duke rekrutuar në bazë meritokracie, paanshmërie dhe integriteti.

Në këtë kuadër, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil dhe Departamenti i Administratës Publike duhet të angazhohen më tepër në bashkëpunimin me organizata ndërkombëtare për të marrë ekspertizë dhe mbështetje në reformimin e administratës publike.
Si njeri politik dhe drejtuese e Kuvendit, ashtu si dhe ju, jam dëshmitare e nevojës për të luftuar atë që po shndërrohet në një fenomen të rrezikshëm që ka të bëje me gjuhën e urrejtjes apo çdo formë komunikimi që promovon diskriminim e dhunë, në platformat dixhitale dhe në botën virtuale.
Ky shqetësim kërkon vëmendje dhe veprime të menjëhershme.

Shqipëria nuk është ishulli i izoluar dhe debati i madh që bëhet për këtë cështje kudo, duhet të shoqërohet me përgjigjen tonë duke garantuar mure mbrojtës për shoqërinë, për cdo qytetar, por sidomos për të miturit dhe gratë.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive janë vija e parë e frontit për mbrojtje nga ky kërcënim dhe gjykoj se përgatitja e një plani masash në këtë drejtim, është dhe hapi i parë për adresim më të fortë dhe më efektiv ndaj këtij shqetësimi që nuk njeh kufij shtetërorë.

Prokuroria dhe Policia e Shtetit, duhet të punojnë së bashku për të siguruar një trajtim të integruar dhe të shpejtë për viktimat në çdo qytet e qelizë të territorit.
Për këtë qëllim, gjykoj se është i domosdoshëm krijimi i platformave të përbashkëta për ndarjen e informacionit dhe koordinimin e veprimeve midis institucioneve, zhvillimi i fushatave për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me dhunën ndaj grave dhe personave vulnerabël, sigurimi i qendrave të strehimit për viktimat e dhunës, me shërbime konsulence, psikologjike dhe ligjore, si dhe krijimi i mekanizmave të besueshëm për raportimin e rasteve dhe ndjekjen e trajtimit të tyre.

Epoka e re e inteligjencës artificiale dhe revolucioni teknologjik në përgjithësi që kanë transformuar gjithë botën, duhet të transformojnë edhe qasjen dhe orientimin tonë ndaj kësaj bote gati-gati cilësisht të ndryshme nga më parë dhe me problematika tërësisht të panjohura deri pak vite më parë.

Platforma ndërinstitucionale duhet të jetë duhet dhe do të jetë një mjet komunikimi mes nesh në terma ditore për t’ju përshtatur ritmit që kushtëzon kjo kohë me ritëm ndryshimesh si kurrë më parë.

Rekomandimet e rezolutave të Kuvendit, rekomandimet tuaja ndaj të tretëve dhe çdo produkt i punës sonë do të jetë i aksesueshëm dhe transparent për publikun dhe këdo palë të interesuar.

Kuvendi ka ngritur dy komisione të posaçme, Komisionin “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për “Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”” dhe Komisionin “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.

Një ndër qëllimet e ngritjes së këtyre komisioneve është rritja e mbështetjes për institucionet e pavarura, në mënyrë që arritjet e deritanishme të reformave dhe proceseve integruese, të jenë të pakthyeshme, të jenë të garantuara dhe të avancojnë më tej.

Asnjë strukturë parlamentare, legjislative apo ekzekutive, nuk ka se si të ndërhyjë dhe nuk do të ndërhyjë në veprimtarinë e institucioneve të pavarura.

Prej tyre, ashtu si edhe prej dy komisioneve të posaçme që përmenda më lart, do të keni vetëm inkurajim e mbështetje.
Dëshiroj të ndaj me ju dhe nëpërmjet jush të ritheksoj qëllimin tim dhe përpjekjet e pareshtuara për të bërë të mundur që opozita të marrë vendin e saj në këto komisione. Minimalisht, Kuvendi ka afruar dhe do të afrojë transparencë maksimale, gjë për të cilën ka kërkuar edhe praninë e partnerëve ndërkombëtarë si vëzhgues.

Së fundmi, duke ndarë si skicë vetëm disa ide të përgjithshme, më lejoni ta konsideroj si të pamjaftueshëm raportin gati burokratik e protokollar në marrëdhëniet mes Kuvendit dhe institucioneve të pavarura.
Ato as nuk nisin dhe as nuk mund të kufizohen vetëm në shqyrtimin e raporteve vjetore.
Unë besoj në një dimension të ri të këtyre marrëdhënieve, në frymën dhe në urdhërimin e kushtetutës për të jetësuar një marrëdhënie të sinqertë bashkëpunimi e ndërveprimi, në transparencë të plotë dhe në funksion të shtetit të së drejtës, qeverisjes së mirë dhe efektive të Shqipërisë evropiane.
Nuk kemi shans për të zgjedhur ndryshe, jemi të detyruar të gjithë së bashku të ofrojmë zgjidhjet më të mira, secili për atë që i takon si detyrë e përgjegjësi.
Të tillë e vlerësoj edhe këtë takimin tonë të sotëm.
Tani jam gjithë vëmendje të dëgjoj secilin prej jush, besimplotë që pavarësisht fushave të ndryshme të përgjegjësisë dhe autoritetit, jemi të gjithë të orientuar drejtnjë qëllimi të vetëm: tek shërbesa evropiane që meriton të marrë cilido qytetar i Republikës së Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat