Shqipëria do të hapë kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian në muajin e ardhshëm. Ky proces shpresohet se do të ecë shpejtë për shtetin shqiptar. Kurse shkëputja e Maqedonisë së Veriut, vlerësohet se është si pasojë e veprimeve të saj.
Nga mesi i muajit tetor, Shqipërisë i hapet një rrugë historike.
Me vendim të BE-së, asaj do t’i hapet kapitulli i parë i negociatave për anëtarësim në BE.
Ka shpresa që ky proces do të jetë i përshpejtuar për shtetin shqiptar.
“Kam mendim se do ta shpejtojnë çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë si procedurë, sepse ka një interes edhe Uashingtoni edhe Berlini, në funksion të pozicionit gjeografik dhe të popullit shqiptar që tani në këtë zonë është rreth 5 milionë” , tha Spartak Ngjela.
Me këtë avancim të Shqipërisë, është lënë anash Maqedonia e Veriut, ku këto dy shtete deri tani rrugën e kanë bërë bashkë.
Kjo shkëputje e Maqedonisë, vlerësohet se vjen nga veprimet që ajo bën me shtetet me të cilat kufizohet.
“Ajo vazhdon sot e kësaj dite, komplikon me fqinjët e saj. Së pari me Greqinë, që humbi shumë vite, e tani edhe me Bullgarinë. Kështu që, tani Shqipëria arsyeshëm ka të drejtë t’i vazhdojë bisedimet se edhe ashtu i ka humbur gati dy vite për shkak të Maqedonisë”, thotë Mersel Bilalli analist në Maqedoni të Veriut.
Nga ky ngërç, konsiderohet se Maqedonia do të dalë, vetëm nëse merr veprime të menjëhershme reformuese.
“Duhet ta shikojë veten në pasqyrë dhe menjëherë të pajtohet me ndryshimet kushtetuese, duke i futur bullgarët në Kushtetutë dhe të vazhdojë me reformat e brendshme me të cilat është duke stagnuar. Tjetër rrugë nuk ka, asnjë opsion tjetër”, thotë ai.
Maqedonia e Veriut, nuk i ka nisur negociatat për anëtarësim në BE, ani pse është vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që e ka nisur këtë rrugë.