Në Tiranë, Kuvendi zhvilloi sot një tryezë me institucionet e pavarura për të forcuar bashkëpunimin në reformat e integrimit europian. Përfaqësues të diplomacisë amerikane dhe europiane kërkuan në këtë takim që, gjatë këtij procesi të respektohet pavarësia e institucioneve. Përfaqësues të disa institucioneve të drejtësisë folën me shqetësim për pengesa të ndryshme në punën e tyre.
Në takimin e organizuar sot nga Kuvendi, diplomatët amerikanë dhe ata europianë shprehën mbështetjen për reformat e Shqipërisë për anëtarësimin në BE.
Përfaqësuesja e ambasadës amerikane Kathryn Hammond, tha se SHBA-të mirëpresin nismat për fuqizimin e shtetit të së drejtës, luftës kundër korrupsionit, si dhe mbështesin shoqërinë civile, partitë politike dhe komunitetin e bizneseve në përpjekjet për të qenë transparente, gjithëpërfshirëse në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë, për të mbrojtur pavarësinë e institucioneve, për rritjen e bashkëpunimit dhe të pavarësisë së tyre.
Ajo tha se institucionet e pavarura duhet të forcojnë mbikëqyrjen e tyre, llogaridhënien, dhe të veprojnë me integritet. “Në shkurt të këtij viti Sekretari i Shtetit Blinken dhe kryeministri Rama diskutuan se si të garantojnë institucionet demokratike shqiptare që të bëhen më llogaridhënëse për qytetarët shqiptarë. Qeveria e SHBA është e gatshme të mbështetsë për këtë gjë”, tha zonja Hammond.
SHBA-të mbështesin, sipas saj, edhe përpjekjet e bëra nga shoqëria civile për të patur një demokraci pjesëmarrëse ku dëgjohen zëra të ndryshëm dhe ato të merren në konsideratë.
“Duke rritur bashkëpunimin me institucionet e pavarura dhe duke inkurajuar pjesëmarrjen e shoqërisë civile, ne mund të ndihmojmë për të caktuar kushtet për transparencën e qeverisë, për të qenë ajo më përgjegjëse dhe më llogaridhënëse ndaj nevojave të njerëzve. Kjo është një qasje që fuqizon demokracinë në Shqipëri”, tha zonja Hammond.
Nga ana tjetër drejtuesi i delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadori Silvio Gonzato, theksoi se “marrëdhëniet ndërinstitucionale të Kuvendit me institucionet e pavarura duhet të jenë në respekt të plotë të kushtetutës, që kanë të bëjnë me kontrollin dhe balancën”.
Ai tha se për reformën në drejtësi “parlamenti mund të luajë një rol kyç për moskthimin pas të këtyre reformave, për të konsoliduar më tej zbatimin e tij, për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
Ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, siguroi pjesëmarrësit vendas dhe ndërkombëtarë për respektimin e pavarësisë së institucioneve.
“Duhet ruajtur në mendje ky raport i respektimit të kësaj pavarësie, por në anën tjetër duhet respektuar edhe detyra e Kuvendit që të prodhojë rezoluta që janë sa më përmbajtësore, sa më të qenësishme, dhe që shkojnë në thelb të punës tuaj dhe detyrës, që ju ia keni detyrim publikut, por edhe ne ia kemi detyrim publikut në rolin tonë si mbikëqyrës dhe monitorues”, tha zonja Spiropali.
Në këtë takim Inspektor i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, theksoi se marrëdhëniet e ILD-së me Kuvendin janë funksionale, por nevojitet të ndryshojnë mendësitë politike në raport me njëri tjetrin, sidomos pas reformës në drejtësi.
“Reforma në drejtësi, përveçse krijoi një arkitekturë shumë të mirë të organeve të drejtësisë, unë mendojn që krijoi një bazament shumë të fortë jo thjesht për raportet e institucioneve të drejtësisë me Kuvendin, politikën dhe shoqërinë, por dhe gjithë institucionet e tjera të bazuara në një filozofi të fortë të ndarjes së pushteteve. Kjo është e bukur për ta dëgjuar, por është shumë e vështirë për ta zbatuar”, tha zoti Metani.
Drejtuesja e KLGJ-së, Naureda Llagami, ngriti shqetësimin e çështjeve të depozituara nëpër gjykata, për të cilën ka kërkuar ndihmën e Kuvendit me nisma ligjore, ndërsa u premtua se ato do të futen për diskutim në këtë session parlamentar.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor ka depozituar disa nisma, të cilat kanë të bëjnë me backlog-un, dhe këto nisma ka 6 muaj që janë pranë Kuvendit. Ato i kemi raportuar, vazhdojmë e i raportojmë, janë bërë me grupin e punës për strategjinë për uljen e backlog-ut, dhe deri tani nuk kemi asnjë feedback nga Kuvendi mbi ecurinë e nismës, pavarësisht urgjencës, nevojës dhe domosdoshmërisë që kemi deklaruar ne mbi këto nisma”, tha zonja Llagami.
Prokuroria është një institucion i hapur për monitorim dhe raportim në parlamenti, tha prokurori i përgjithshëm Olsian Çela, ndërsa theksoi se nga monitorimi duhet të vinin çështje konkrete mbi masat që përmirësojnë procesin e raportimit apo të vlerësohen nevojat për ndryshime ligjore, por procesi është delikat, sepse flitet për pavarësinë e institucioneve, dhe duhen hapa të kujdesshëm.
“Mendoj që në procesin kërkimor për çfarë nuk shkon mirë dhe duhet përmirësohet në raportin tonë ndërinstitucional, të merren në konsideratë edhe cilat janë modelet më të mira nga vendet e BE-së, ku aspirojmë të shkojmë, apo nga vendet që kanë kaluar procese të ngjashme të integrimit dhe janë ballafaquar me sfida të tilla”, tha zoti Çela.
Dyshimet mbi cënimet e mundshme të pavarësisë së institucioneve të reja të drejtësisë pas reformimit nisën disa kohë më parë me krijimin e një komisionit të posaçëm parlamentar për thellimin e reformave, mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin, i cili mund të vendosë raporte të reja me këto institucione në emër të llogaridhënies dhe transparencës.
Një ditë më parë, drejtuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadori Silvio Gonzato, deklaroi se “pa institucione të pavarura të drejtësisë nuk ka drejtësi të pavarur. Kriteret si llogaridhënia dhe transparenca nuk mund të përdoren si kosto të pavarësisë. Ato janë mekanizma të brendshëm për të rritur këto cilësi”.