Lefter Gështenja, deputet i PD-së, ka reaguar ndaj vendimit të Apelit që dënoi me 1 vit heqje lirie, nënkryetarin e Grupit Parlamentar, Ervin Salianji.
Gështenja shkruan në rrjetet sociale se dënimi politik i kolegut Ervin Salianji, deputet, nënkryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe drejtues politik i qarkut të Elbasanit, është këmbanë alarmi për këdo që guxon të ngrejë zërin apo denoncojë lidhjet korruptive a kriminale të pushtetit të Edi Ramës.
“Fabrikimi i dëshmitarëve dhe provave nga prokurorë të shkarkuar nga vettingu dhe më pas dënimi nga gjyqtarët të lidhur me eksponentë të Partisë Socialiste duke u premtuar karriere në sistemin e drejtësisë, është dëshmi e qartë se vendimi i sotëm ishte një vendimmarrje politike për të ndëshkuar kundërshtarët e Edi Ramës dhe PS-së.
Nëse pranojmë të heshtim apo nënshtrohemi përballë drejtësisë politike të Edi Ramës, ne nuk e meritojmë të jemi përfaqësues të popullit opozitar në Parlament.
Prandaj, me çdo kusht e me çdo mjet duhet të reagojmë ndaj këtij regjimi që po kërkon të instalojë Edi Rama në Shqipëri që mbron krimin e kriminelët, duke ndëshkuar përfaqësuesit e popullit opozitar”, shprehet Gështenja.