Shqipëria në emergjencë për kujdesin ndaj të moshuarve, mungojnë azilet dhe stafet

Shqipëria

Shqipëria në emergjencë për kujdesin ndaj të moshuarve, mungojnë azilet dhe stafet

Më: 26 shtator 2024 Në ora: 21:02
Ilustrim

Përkujdesi ndaj të moshuarve nga familjarët po zbehet si një traditë në vendin tonë, për shkak të emigrimit të lartë të të rinjve dhe uljes së numrit të lindjeve.

Të dhënat e Cens 2023 treguan se gjyma e familjeve kanë persona mbi 60 vjeç, të cilët janë një kontingjent i madh për kujdes në periudhën e afërt.

Nertila Podgorica, nga Departamenti i Shkencës së Infermierisë dhe Gerontologjisë në Universitetin e Shkencave Shëndetësore në Austri, kreu një studim “Vështirësitë dhe sfidat e përjetuara nga infermierët në institucionet e kujdesit të të moshuarve në Shqipëri”.

Studimi vuri në dukje se në Shqipëri funksionojnë 39 qendra rezidenciale për të moshuarit, nga të cilat 14 ofrojnë shërbime në Qarkun e Tiranës. Krahasuar, 25 të tjerat ofrojnë shërbime në Korçë (6 qendra), Shkodër (5 qendra), Berat (3 qendra), Durrës, Vlorë dhe Elbasan (2 qendra), Lezhë, Dibër, Gjirokastër, Fier dhe Kukës (1 qendër).

Stafi i këtyre qendrave përbëhet kryesisht nga mjekë dhe infermierë. Në të njëjtën kohë, ka vetëm pak punonjës socialë dhe ndihmësinfermiere, edhe pse profesioni i punonjësit social dhe asistentit të infermierit është i parashikuar në strukturën e autorizuar.

Kjo ndodh sepse as kurrikula universitare dhe as institucionet e trajnimit në Shqipëri nuk ofrojnë trajnim adekuat për asistentët e infermierëve dhe punonjësit socialë në kujdesin për të moshuarit.

Infermierët konsiderohen si shtylla kurrizore e sistemit të kujdesit shëndetësor në ofrimin e shërbimeve thelbësore të kujdesit shëndetësor për popullatën. Njohuria, trajnimi, sjellja dhe kujdesi i infermierëve ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e kujdesit, pasi studimet tregojnë se perspektiva e ofruesve të kujdesit ndikon në cilësinë e kujdesit të ofruar për individët e moshuar.

Studimi i bazuar në anketë gjeti se Shqipëri infermierët përballen me probleme dhe vështirësi të ndryshme në institucionet e kujdesit për të moshuarit.

Këto sfida lidhen me mjedisin fizik dhe pajisjet teknike të ambienteve, si dhe me nivelin arsimor të infermierëve.

Mungesa e trajnimit të stafit dhe e një mjedisi të përshtatshëm provohet nga faktet se ndikon në cilësinë e kujdesit të ofruar për të moshuarit në ambientet e kujdesit për të moshuarit, vlerësoi studimi..

Gjatë punës në ambientet e azileve, infermierët kujdesen për personat me demencë dhe të moshuar të tjerë me gjendje të ndryshme shëndetësore, të cilët shprehin pasiguri në vendimmarrje në lidhje me terapinë apo vendime të tjera, veçanërisht në fund të jetës së tyre. Si rezultat i përballjes me dilema të ndryshme morale dhe pamundësisë për të mbrojtur të moshuarit, infermierët ndeshen me probleme të ndryshme emocionale.

Këto sfida intensifikohen kur banorët e moshuar shfaqin sjellje agresive në rritje, duke çuar në shqetësime psikologjike tek infermierët, ulje të orarit të punës, largim nga profesioni dhe, në fund të fundit, mungesë infermierësh.

Sipas Cens 2023 në të gjithë vendin u numëruan 755,950 njësi familjare, ku 49% e tyre dominohen nga persona në moshë pensioni.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se 195 mijë familje kishin persona të grup-moshës 60-69 vjeç, të cilët përbëjnë 26 për qind të totalit të njësive familjare dhe është grupi dominues.

122,249 familje kishin persona të moshës 70-79 vjeç dhe përbënin 16 për qind të totalit të familjeve.

53 mijë familje kishin persona mbi 80 vjeç dhe këto përbenin 7% të totalit të njësive familjare.

Sakaq, Shqipëria nuk është as në fillesat e ngritjes së infrastrukturës për të përballuar me dinjitet problemet e moshës së tretë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat