Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se sot Ervin Salianji është i dënuar se në emër të tyre, ai guxoi t’i dalë ballë për ballë kreut të krimit në Shqipëri
Balliu: Të dënosh dikë për kallëzim të rremë kur s’ka pasur kallëzim, ndodh në një narko-shtet. Drejtësia është kthyer në aset për të mbajtur pushtetin
FJALA E BERISHËS
Mirëmbrëma dhe përshëndetje zonja, zotërinj anëtarë të kryesisë së PD.
Zotërinj drejtues të kësaj mbledhje.
Zoti Noka, zoti Bylykbashi, zoti Bardhi, zoti Boçi, zoti Paloka.
Ju përshëndes ju të gjithëve.
Përshëndes të gjithë anëtarët dhe qytetarët që ndjekin këtë mbledhje të kryesisë së PD, të thirrur me urgjencë pas një ngjarje plotësisht të parashikuar, por të pandodhur që nga vitet më të zeza të diktaturës gjer sot ndonjëherë në Shqipëri.
Sot, deputeti Ervin Salianji, me padinë e narkotrafikantit ndërkombëtar, Geron Xhafa prestanome i Fatmir dhe Edi Ramës, u dënua me një vit burg për guximin që ai tregoi, për detyrimin që ai përmbushi ndaj demokratëve, ndaj qytetarëve, ndaj zgjedhësve të tij, duke denoncuar një lidhje të tmerrshme kriminale, e cila kishte pasoja trafiqe të egra, zhdukje personash, vrasje të njërit prej klaneve më të fuqishme, klanit të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Me këtë akt, të dashur qytetarë, Edi Rama shpalli luftë të hapur PD-së, shpalli luftë të hapur opozitarëve dhe mbarë qytetarëve.
Asnjë njeri i ndershëm nuk mund ta konsiderojë ndryshe dënimin e deputetit Ervin Salianji veçse një ndëshkim, një hakmarrje primitive, e verbër e klaneve më të egra mafioze, të cilat midis një prite diku në errësirë, zgjodhën narkoshtetin për t’i dhënë përgjigjen hakmarrëse që mendonin.
Të dashur demokrate e demokratë, sot Geron Xhafa prestanome i Fatmir Xhafës dhe Edi Ramës, arriti të dënojë deputetin guximtar Ervin Salianji.
Pse? Sepse ai në ndërgjegjen e tij, në idealet e tij, zgjodhi të jetë përfaqësuesi juaj i vërtetë.
Ai zgjodhi midis kokëuljes, midis indiferencës, midis moskokëçarjes, zgjodhi t’i thotë derrit, derr. T’i thotë kriminelit, kriminel.
Pavarësisht se ai ishte vëllai i ministrit të brendshëm dhe byrazer i kryeministrit.
Pra, ky përfaqësues i juaji zgjodhi më të ndershmen ndaj jush. Zgjodhi më dinjitozen, më të guximshmen.
Nuk pranoi t’i arkivojë, por doli në shesh, u tha shqiptarëve se Geron Xhafa drejton trafiqet nga Vlora, ndërkohë që është i dënuar në Itali dhe ka mburojën e vëllait të tij dhe sivëllait Edi Rama.
Nuk shpifi, nuk mashtroi. Ai ishte i dënuar, ai vazhdonte drogën. Pra, sot Ervin Salianji është i dënuar se në emër tuaj, se për ju, ai guxoi t’i dalë ballë për ballë kreut të krimit në Shqipëri.
Por, të dashur anëtarë të kryesisë, të dashur demokratë, unë do u sjell një rast tjetër.
Durim Bami, i cili mori përsipër të kallëzoje se Ilir Meta kishte porositur tek ai vrasjen e një eksponenti të lartë politik. Fund e krye mashtrim.
U gjykua për kallëzim të rremë dhe shkoi në shtëpi të vet.
Ervin Salianji bëri denoncimin publik, nuk dërgoi asgjë në prokurori.
Por denoncoi Ramën dhe Xhafën se ishin bërë mburojë e trafikantit kryesor të Vlorës dhe për këtë ai, opozitar, dënohet në një proces që ndoshta edhe në diktaturat më të zeza, më të egra, shumë vështirë të ndodhte.
Por, theksoj një moment këtu, diktatura komuniste kishte ligje që po të sulmoje kryeministrin verbalisht apo ministrin, dënoheshe. Ligjet e vendit nuk kanë një gjë të tillë, por efekti është i njëjtë, edhe më keq se padinë e bën krimineli, e bën trafikanti.
Pra, miqtë e mi, ky është një akt lufte që na shpallet.
Është koha, të nderuar anëtarë të kryesisë, por edhe të gjithë demokratët, të bëjmë një bilanc të shkurtër.
Ne kemi tre vite që bëjmë një përpjekje që vendi të ketë një opozitë të vërtetë.
Ne veprojmë me të gjithë- pavarësisht nga e gjithë dhuna, bëjmë gjithçka që të kemi një opozitë brenda të gjitha rregullave, ligjeve të rendit.
Vendimet tona shumëzohen me zero, pavarësisht se ato në parlament mund të jenë 100 përqind kushtetuese.
Jo vetëm një shpërfillje e plotë e atyre të drejtave kushtetuese që kemi, por Edi Rama, për mandatin e katërt, u rikthye në origjinën e tij plotësisht.
Sot, nuk ka asnjë vend tjetër në Europë, asnjë vend, që tre liderët e opozitës t’i ketë në proces politik.
Nuk ka asnjë vend tjetër në të cilin deputeti i opozitës të dënohet se denoncoi trafikantin e dënuar në Itali dhe që mbrohej nga vëllai i tij në Shqipëri.
Se kandidati që fitoi zgjedhjet në Himarë, dënohet dhe burgoset sepse Edi Rama kërkon me çdo kusht t’i marrë mandatin për pronat e tij.
Pra, unë mendoj dhe besoj se sot për çdo demokrat është e qartë një strategji, e cila synon shndërrimin e një opozite, e opozitës në një opozitë pa vlerë.
Në një opozitë, kundër të cilës qeveria duke shkelmuar Kushtetutë, ligj dhe rregullore, mund të ndërmarrë çdo akt, çdo sulm.
Me gjithë përpjekjet e saj të mëdha për të kontribuar edhe në këto kushte në procesin ose në mbrojtje të demokracisë në Shqipëri.
Por ndaluni pak.
Ju e patë Edi Ramën në zgjedhjet e majit të vitit 2023. Më thoni pak demokratë, cilin mandat nuk rrëmbeu ai, që përcaktoi se duhet ta rrëmbente?
Që të gjitha pa përjashtim, ku ai përqendroi të gjithë egërsinë e narkoshtetit.
Çfarë po ndodh tani?
Tani po vazhdon i njëjti proces. Cilin mandat nuk heq ai?
Cilin lider të opozitës nuk burgos ai për të fituar mandatin e ri?
Është kështu apo jo?
Pra, në qoftë se Edi Rama mandatin e vitit 2021 e fitoi duke shpenzuar shuma kolosale për riparimet për tërmetin, duke përdorur bandat, mandatin e vitit 2023 e fitoi duke ndëshkuar opozitën.
Mandatin e vitit 2025 do ta fitojë duke burgosur opozitën.
A është kjo reale apo jo?
Kur ka ndodhur në Shqipëri ndonjëherë, në cilin vend të Europës ndodh që tre liderët kryesorë të jenë në procese politike?
Në cilin vend në Europë ka ndodhur që t’i rrëmbehet me polici mandati kryetarit fitues të bashkisë?
Në cilin vend ka ndodhur që deputeti që guxon të denoncojë vëllain e ministrit trafikant, të dënohet me një vit burg?
Në asnjë, në asnjë.
As në Rusinë e Putinit, as në Bjellorusinë e Lukashenkos.
Çfarë ndodh sot? Sot po kundërshtove narkodiktatorin, tani nuk e fsheh, do merrem personal me ju, thotë.
Ju e keni parë ultimatumet dhe paralajmërimet që i bën kryetarit të grupit parlamentar dhe nënkryetarit të PD, Gazment Bardhi.
Sot u dënua Salianji, por ai me Salianjin ai mbaroi punë.
Sot iu përvesh kryetarit të grupit parlamentar, sepse guxoi të rikthejë në skenë Olsin trafikant.
Dhe se ai u përpoq për të njëjtin skenar.
Çfarë do të thotë kjo? U garantoj se secili që të denoncojë krimet dhe aferat e Edi Ramës, do të ketë hakmarrjen e pamëshirë të tij.
Të nderuar anëtarë të kryesisë, demokratë!
Pra, ne jemi në këtë situatë.
Në një situatë ku Edi Rama ka shpalosur si alternativë për të marrë mandatin e tij burgosjen, arrestimin e eksponentëve të opozitës, drejtuesve të saj.
Për të mbjellë terror, për të mbjellë dhunë në një kohë që opozita po bën gjithçka për rikthimin në Shqipëri të votës së lirë.
Kam dëgjuar disa herë analistë që shprehen se Sali Berisha po kërkon qeverinë teknike në mënyrë që mosrealizimi të justifikojë humbjen e zgjedhjeve.
Unë u them ju të dashur demokratë, kurrë nuk është ai qëllim.
Qëllimi është vetëm një, një qeveri teknike për zgjedhje sa më të barabarta.
Me bindjen më të thellë dhe absolute se zgjedhjet i fiton opozita.
Ata që mendojnë dhe interpretojnë ndryshe, ata gabojnë. Ata ndoshta edhe pa dashje e mbrojnë Edi Ramën.
Po pse e them këtë? E them se çdo njeri që ka kulturë minimale elektorale e konstaton se Edi Rama nuk bën zgjedhje, Edi Rama grabit zgjedhje dhe se Sali Berisha dhe PD po përpiqet me të gjitha format që të bëhen zgjedhje në Shqipëri.
Por, rikthehemi te momenti.
Momenti i terrorit kundër opozitës e vë opozitën para dy alternativave: ose të dalë në klandestinitet, çka ne nuk e përfillim kurrë këtë, ose të dalë ballë për ballë.
Të mbrojë opozitarizmin, të mbrojë Kushtetutën, të mbrojë sovranitetin e vendit.
Një vend ku shtypet opozita, nuk ka sovranitet të brendshëm.
Ku shtypet një opozitë, e cila bën të gjitha përpjekjet për funksionimin e Kushtetutës, për funksionimin e ligjeve, për funksionimin e rregullores së parlamentit.
Por këto të gjitha shpërblehen me arrestime. Shpërblehen me burgosje, shpërblehen me dënime, që të gjitha antiligjore, që të gjitha antikushtetuese, që të gjitha hakmarrje primitive.
Ku shkojmë atëherë?
MBLEDHJA E KRYESISE SE PD