Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda i DVP Fier ka ekzekutuar masën e sigurisë të caktuar nga gjykata, “arrest me burg”, për vrasjen e Elton Javorit, më datë 10 dhjetor 2023.
Kështu, u la në burg autori i dyshuar i vrasjes së Javorit, Kreshnik Gashi. Ndërsa, është shpallur në kërkim vëllai i tij, Agim Gashi.
“DVP Fier/ Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest me burg”, për 1 shtetas të dyshuar për vrasje.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda i DVP Fier ka ekzekutuar masën e sigurisë të caktuar nga Gjykata e Fierit për veprat penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, për shtetasin Kreshnik Gashi, 33 vjeç, banues në Fier.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi në vitin 2023, në bashkëpunim me vëllain e tij, shtetasin A. G., (aktualisht person në kërkim), dyshohet se kanë vrarë për motive të dobëta shtetasin E. J.
Vijon puna për kapjen e shtetasit A. G.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, njofton policia.