Ndërtimi i ujësjellësit të ti të Patosi ka hyrë në fazën përfundimtare, atë të zbatimit të lotit III, i cili përmbyll të gjithë investimin duke garantuar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për qytetin e Patosit dhe fshatrat përreth.
Investimi përfshin ndërtimin e linjave kryesore të ujësjellësit, linjën e shpërndarjes, depot e furnizimit dhe stacionet e pompimit. Përmes këtij investimi bëhet e mundur edhe eliminimi i humbjeve dhe ndotja e ujit në rrjet.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me drejtorin e AKUK, Klevis Jahaj inspektuan nga afër ecurinë e punimeve për këtë vepër.
“Jemi në lotin e III, i cili parashikon plotësimin e të gjithë skemës së furnizimit për bashkinë e Patosit duke përfshirë dhe njësitë administrative, të cilat nuk ishin të mbuluara në lotin I dhe II të punimeve. Aktualisht loti I ka përfunduar për qytetin e Patosit ku kemi parashikuar të gjithë shpërndarjen, plotësimin me sistemin e matjes dhe sistemet kolonë për të gjitha pallatet. Në lotin II jemi duke rinovuar komplet stacionin e ri të furnizimit me ujë për Bashkinë e Patosit në mënyrë që të plotësohet dhe nevoja për të gjithë njësitë e tjera administrative të cilat janë pjesë e lotit III”, bëri të ditur Jahaj.
Afro 40 mijë banorë do të përfitojnë nga ky projekt i cili, transformon tërësisht situatën e furnizimit me ujë në bashkinë e Patosit si dhe njësitë e tjera administrative që janë pjesë e bashkisë.
Zëvendëskryeministrja Balluku bëri të ditur se krahas investimeve të cilat do të vijojnë, reforma e ndërmarrë në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve mbetet një element i rëndësishëm transformues i cili tashmë ka nisur të japë edhe rezultate pozitive.
“Është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë me procesin e reformës. Kjo ndërmarrje rajonale e Fierit apo qoftë dhe ajo e Lushnjës janë ndërmarrje shumë të rëndësishme. Kemi pasur edhe këtu përmirësime. Do ulen humbjet, nga 80 në 25%. Pra nuk është thjesht që do të furnizojmë 40 mijë abonentë dhe më shumë, por nga ana tjetër do të kemi dhe një ulje të rëndësishme të humbjeve në rrjet”, tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se krahas sigurimit të furnizimit me ujë e rëndësishme është edhe ulja e kostove për vetë kompaninë. “Duke zgjidhur problemin e ujit të pijshëm për 24 orë kemi disa detyra të tjera që na dalin: Nga ulja e kostove, kur vjen puna tek autoprodhimi i energjisë, efiçenca e energjisë, pompat e reja dhe deri tek pjesa e sigurisë, sepse të gjitha depozitat nuk mund të jenë më në kushtet që i kishim. Depozitat duhet të jenë të monitoruara me kamera, tw rrethuara, sepse janë zona të sigurisë së lartë dhe nuk mund të kenë akses qytetarët. Të gjitha këto janë pjesë e reformës dhe duhen ndjekur, sidomos në kantieret e reja që dorëzohen, ku i kemi mundësitë që të bëjmë siç duhet projektin nga fillimi dhe ndërkohë të mitigojmë të gjitha ato që janë ekzistuese”, u shpreh Balluku.
Pjesë e projektit të ujësjellësit të ujësjellësit është edhe pajisja e abonentëve me matësa ku do të vendosen më shumë se 800 matësa.