Salianji në burg, reagon Adriatik Lapaj: Mund të aplikohej ndëshkim me gjobë, denoncimi i bërë prej tij u provua

Shqipëria

Salianji në burg, reagon Adriatik Lapaj: Mund të aplikohej ndëshkim me gjobë, denoncimi i bërë prej tij u provua

Më: 27 shtator 2024 Në ora: 17:27
Adriatik Lapaj

Koordinatori i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar në lidhje me vendimin për dënimin me 1 vit burg të deputetit të PD, Ervin Salianji.

Lapaj shkruan se, “më herët për këtë lloj vepre gjykatat nuk e kanë aplikuar dënimin me burg”, duke shtuar se ndaj Salianjit mund të ishte aplikuar një ndëshkim me gjobë, pasi sipas tij denoncimi në thelb ka qenë i provuar pasi subjekti i tij shkoi dhe bëri burgun në Itali.

“Nisur nga faktet rezulton se deputeti denoncoi publikisht një fakt i cili u provua pasi vëllai i ministrit përfundoi në burg. Thënë ndryshe edhe pse denoncimi brenda mund të ketë pasur shkelje ligji (në disa nga aspektet e veta) në thelb ka qenë i provuar sa kohë subjekti i denoncimit shkoi në burg për llogari të drejtësisë italiane”, thekson ai.

Më tej, Lapaj thekson se “si mund të dënohet me burg një njeri që akuzoi një fakt dhe nuk shkojnë në burg ata që vodhën 400 milion euro të incineratorëve e me radhë”.

Postimi i plotë:

Pra, deputeti Salianji akuzohej për “Kallëzim të rremë” sipas nenit 305 të Kodit Penal. Referuar përmbajtjes së dispozitës dënimi që ajo parashikon është me gjobë ose burg deri në 5 vite.

Ligjvënësi ka parashikuar se ndëshkimi për këtë vepër nis nga gjoba pikërisht në ato raste kur nga rrethanat e veprës nuk del rrezik i lartë për shoqërinë.

Nisur nga faktet rezulton se deputeti denoncoi publikisht një fakt i cili u provua pasi vëllai i ministrit përfundoi në burg. Thënë ndryshe edhe pse denoncimi brenda mund të ketë pasur shkelje ligji (në disa nga aspektet e veta) në thelb ka qenë i provuar sa kohë subjekti i denoncimit shkoi në burg për llogari të drejtësisë italiane.

Nga eksperienca ime profesionale për këtë lloj vepre kam vërejtur se gjykatat tona nuk e kanë aplikuar dënimin me burg. Atëhere pse dënim me burg për një deputet që denoncoi një fakt të vërtetë kur praktika për këtë vepër nuk ka aplikuar burgun?

Unë me subjektin politik që Ervin Salianji përfaqëson jam përballë, por kjo situatë mban erë e kutërbon, kur pikërisht sot Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Gjyaktës së Apelit të Posaçëm që la në fuqi masën e “arrestit me burg” për 2 nga drejtorat e 5D që akuzohen se kanë përlarë dhjetëra milionë euro nga taksat tona.

Mban erë kur dënohet me burg një njeri që akuzoi një fakt dhe nuk shkojnë në burg ata që vodhën 400 milion euro të incineratorëve e me radhë.

Shkon në burg një njeri që denoncoi një fakt, por as nuk nis hetim fare ndaj atyre që nga arroganca i shkaktuan Shqipërisë 110 milion euro dëm ndaj Beketit.

Mban shumë erë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat