Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pak kohë pasi deputeti demokrat Ervin Salianji u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës, duke zgjedhur të përballet me burgun, pas vendimit të Gjykatës së Apelit.
Rama shkruan se viktimizimi i një të dënuari për një vepër të turpshme, e cila mund të konsiderohet kryevepra e turpit të Mbretërisë së Shpifarakëve – sepse nuk ishte thjesht një shpifje si miliona shpifjet që janë thënë e shkruar në këto 34 vjet Liri Shpifjeje, po ishte një fabrikim i tërë, një film i Kinostudios së Shqupit me aktorë e me producentë të përkushtuar për të bërë keq – tregon se sa poshtë ka rënë niveli i kuptimit të botës sonë mediatike për peshën e rëndë të shpifjes në jetën e një shoqërie.
“Ideja se një politikan mund të shpifi lirisht në emër të popullit që e ka zgjedhur, ndërsa kush lufton me shpifësit ligjërisht apo e thotë hapur si puna ime, se dënimi i një shpifësi është një lajm i mirë për lirinë e për demokracinë, nuk qenka tjetër përpos një shtypës i fjalës së lirë e i opozitarizmit, është një ide që ka marrë zë të lartë prej mbrëmë, pikërisht sepse shpifësit e të gjitha foltoreve e banaqeve ndjehen të kërcënuar në lirinë e tyre për të sakatuar me shpifje publikisht, këdo që nuk e mundin dot politikisht me fakte e me argumenta”, shkruan Rama.
Dhe në vijim, Kryeministri shprehet se heroin e saj të ri, Mbretëria e Shpifarakëve, mund ta ngjisë edhe krah për krah Penxheres së Katit të Tetë në gjoksin e bluzave qesharake të luftës kundër Drejtësisë, sepse kësisoj jo vetëm do të ritregojë se sa larg realitetit të shqiptarëve është, po edhe do ta meritojë akoma më shumë vendimin e hidhur të Gjykatës Sovrane të Popullit në zgjedhjet e afërta politike.
Postimi nga Edi Rama
Heroizimi i një krijuesi rrethanash të rreme për të sulmuar publikisht një kundërshtar politik, duke coroditur opinionin publik me një fushatë të egër shpifjesh përmes telenovelës “Babale”, si edhe kundërvënia me egërsi ndaj një vendimi gjykate të formës së prerë që bazohet në ligjin kundër veprës penale të kallzimit të rremë, flet shumë qartë për dallimin mes dy botëve që ndajnë shumicën e Shqipërisë me Mbretërinë e Shpifarakëve nën Penxheren e Katit të Tetë të pakicës!
Viktimizimi i një të dënuari për një vepër të turpshme, e cila mund të konsiderohet kryevepra e turpit të Mbretërisë së Shpifarakëve – sepse nuk ishte thjesht një shpifje si miliona shpifjet që janë thënë e shkruar në këto 34 vjet Liri Shpifjeje, po ishte një fabrikim i tërë, një film i Kinostudios së Shqupit me aktorë e me producentë të përkushtuar për të bërë keq – tregon se sa poshtë ka rënë niveli i kuptimit të botës sonë mediatike për peshën e rëndë të shpifjes në jetën e një shoqërie.
Jo më kot shpifja konsiderohet në të gjithë librat e shenjtë si një mëkat gati i barabartë me vrasjen e tjetrit; jo më kot shpifja konsiderohet në botën demokratike si një vepër e dënueshme dhe si një helm prej të cilit janë ruajtur me fanatizëm organet e shtypit, deri kur bota mori kot nëpër oqeanin e mediave e të rrjeteve sociale, ku shpifja është kthyer në peshkaqenin më të frikshëm; jo më kot njerëzia në vendin tonë është lemerisur nga prurjet e shpifjes nëpër ekranet e kanalet e rrjeteve sociale.
Ideja se një politikan mund të shpifi lirisht në emër të popullit që e ka zgjedhur, ndërsa kush lufton me shpifësit ligjërisht apo e thotë hapur si puna ime, se dënimi i një shpifësi është një lajm i mirë për lirinë e për demokracinë, nuk qenka tjetër përpos një shtypës i fjalës së lirë e i opozitarizmit, është një ide që ka marrë zë të lartë prej mbrëmë, pikërisht sepse shpifësit e të gjitha foltoreve e banaqeve ndjehen të kërcënuar në lirinë e tyre për të sakatuar me shpifje publikisht, këdo që nuk e mundin dot politikisht me fakte e me argumenta.
Faktet e argumentat duan punë e aftësi të tjera nga aftësia për të shpifur, që i shkon për shtat çdo humbësi në betejën politike e çdo dembeli të paguar për të informuar publikun, për të cilin shpifja është një depo e pambarimtë municioni në shpirtin e zymtë dhe mendjen e ngushtë.
Por nuk ka asnjë diskutim se për çdo njeri normal, që meriton të informohet lirisht për faktet dhe të ketë mundësinë ta ndjekë jetën publike e politike, pa u marrë zvarrë nëpër lumenjtë e llumit të shpifjeve e sherreve me libër shtëpie, vendimi i djeshëm i gjykatës ishte një lajm i shumëpritur pozitiv.
Sa për mua që nuk i komentoj vendimet e gjykatave, kjo vlen gjithnjë kur ato vendime nuk janë të formës së prerë apo edhe kur mund të mos më bindin personalisht, sepse kurrë nuk mund t’i ve në diskutim punët e drejtësisë, por nuk më ndalon dot askush që ta ndaj publikisht opinionin tim kur drejtësia bën drejtësi deri në fund.
Kështu që heroin e saj të ri Mbretëria e Shpifarakëve mund ta ngjisë edhe krah për krah Penxheres së Katit të Tetë në gjoksin e bluzave qesharake të luftës kundër Drejtësisë, sepse kësisoj jo vetëm do të ritregojë se sa larg realitetit të shqiptarëve është, po edhe do ta meritojë akoma më shumë vendimin e hidhur të Gjykatës Sovrane të Popullit në zgjedhjet e afërta politike.