Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha është shprehur mbrëmjen e sotme para mbështetësve të tij se deputeti Ervin Salianji është sot “qytetari i vetëm i Europës i burgosur, sepse guxoi të denoncojë vëllain trafikant të Fatmis Xhafës”.
Berisha nënvizoi se arrestimi i Salianjit është një “akt kriminal i shëmtuar i përpjekjeve makabre të mafies shqiptare e ndërkombëtare për një Shqipëri pa opozitë”.
“Mirëmbrëma dhe pëshëndetjet më të përzemërta. Mirënjohjen më të pakufijshme, ju guximtareve dhe guximtarëve, qëndrestarëve dhe qëndrestareve të lirisë, dinjiteti, shpresës dhe fitores së shqiptarëve.
Një mirënjohje të pakufijshme oratorëve që me fjalën e tyre përcjellin në zemrat dhe mendjet e qytetarëve shqiptarë të vërtetat që censuron narkoregjimi i Edi Ramës.
Një përshëndetje të përzemërt t’i dërgojmë ne deputetit, n/kryetarit të grupit parlamentar, Ervin Salianjit. Që është sot qytetari i vetëm i Europës i burgosur, sepse guxoi të denoncojë vëllain trafikant të kriminelit Fatmir Xhafa, Geron Xhafën, i cili në vend të burgjeve për të cilat kërkohej si trafikant ndërkombëtar në Itali dhe Venezuelë, drejtonte nga Vlora nën mbrojtjen e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës trafiqë droge dhe trafiqe të tjera kriminale.
Ky akt dëshmon edhe njëherë, se Edi Rama është bir besnik i xhelatit Kristaq Rama, dhe se Edi Rama do një Shqipëri pa opozitë, njëlloj si i ati që si xhelat firmoste ekzekutime dhe varje të kundërshtarëve politikë.
Të dashur miq, burgosja e n/kryetarit të grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji nuk erdhi në këtë regjim si rrufe në qiell të hapur. Jo, erdhi përkundrazi, si një akt kriminal i shëmtuar i përpjekjeve makabre të mafies shqiptare e ndërkombëtare për një Shqipëri pa opozitë, për nëj Shqipëri parajsë të krimit, për një Shqipëri të zbrazur nga shqiptarët.
Të dashur miq, regjimi i Edi Ramës ka vendosur të rrëmbejë mandatin e 4-t për herë të parë në historinë e pluralizmit, duke burgosur, persekutuar drejtuesin e opozitës, sepse përndryshe Edi Rama dhe organizata kriminale që i drejton e ka të qartë se nuk mund të marrë kurrë mandat të ri.
E ka të qartë se për krimet që ka kryer ndaj shqiptarëve, për vjedhjet e tij që rrokin qiellin, për gjenocidin që ka kryer kundër shqiptarëve ai do dënohet me veprat më të rënda penale.
Bastardi i xhelatëve bllokmenë, i kthyer në narkodiktator arreston, burgos kundërshtarët politikë vetëm dy javë para çeljes së negociatave në BE, për t’i dëshmuar kështu shqiptarëve dhe europianëve se negociatat po çelen me Lukashenkon e Bjellorusisë, me diktatorin e Taxhikistanit, me diktatorin e Turkmenistanit, i cili nuk ka normë, nuk ka ligj që respekton përveç urrejtjes atërore ndaj opozitës, mbajtjes më çdo kusht të pushtetit të tij”, u shpreh Berisha.