“Doktori i Mrekullive” emërtohej podkasti i radhës i Kryeministrit tw Shqipwrisw, Edi Rama, ku i ftuar ishte një prej figurave kryesore të neurokirurgjisë europiane, doktor Kita Sallabanda.
Duke folur për reformën në sistemin shëndetësor në Shqipëri, Kryeministri Rama u shpreh se mjeku për të punuar në privat duhet të njoftojë dhe të marrë aprovim.
Ndërkohë, kryeministri theksoi se “sjellja e pacientit sa andej këndej është thyerje e rëndë e kodit të etikës”.
“Këtë lidhjen e publikut me privatin, thjesht tani edhe për shkak të mësimeve që nxorëm nga historitë e pagëlltitshme të Onkologjikut, e kemi që thjesht mjeku që punon në publik mund të punojë në privat, por duhet të njoftojë dhe të marrë aprovim. Nuk mund të jetë ‘hajt se po nisem’. Sjellja e pacientit sa andej këndej është thyerje e rëndë e kodit të etikës”, tha ai.
Kryeministri theksoi se ajo që ndodhi te Onkologjiku ishte shumë prekëse.
“Ishte një tregues që kemi akoma nevojë të përmirësojmë sistemin dhe mënyrën e angazhimit. Dihet, e ka thënë një veteran i famshëm i BBC, lajm nuk është kur kafshon qeni njeriun, por njeriu qenin. Në rastin konkret, lajmi nuk është që këta mjekë bëjnë 90 mijë ndërhyrje në vit, mirëpo kur të del një rast si ai, ose i Sanatoriumit, këto janë raste që godasin besimin te sistemi”, tha Rama.
Sipas tij, “spitalet në Shqipëri i shajnë ata që nuk i kanë parë në vitet e fundit, kanë kujtimet e së shkuarës”.