Gjatë vizitës në SHBA, Kryeministrit Edi Rama mori pjesë në në aktivitetin e organizuar për kontributin dhe vlerësimin e Shqipërisë dhënë për strehimin dhe mbrotjen e Hebrenjve.
“Është nder i jashtëzakonshëm të qëndroj këtu përpara jush, drejtuesve të Komunitetit Ndërkombëtar Hebre, mes të cilëve shoh miq të çmuar të mitë dhe të vendit tim.
Për ata prej jush që nuk kanë qenë kurrë në Tiranë, atje ka një bunker të nëndheshëm në qendrën e qytetit. U ndërtua për t’i bërë ballë sulmit të NATO-s. Sot, është transformuar në një hapësirë kushtuar viktimave të atyre që e ndërtuan.
Bunkeri të kujton një ngjasim modest të Yad Vashemit: Brenda shkallëve, poshtë fotografive të mijëra shqiptarëve të vrarë nga regjimi ynë i stilit koeanoverior në mes të Europës, disa shkronja neoni formojnë fjalët e Primo Levit, “ata që harrojnë të shkuarën, janë të dënuar ta jetojnë sërish”.
Po e përmend këtu jo për të hequr ndonjë paralelizëm të pamundur midis shfarosjes së tmerrshme masive të miliona hebrenjve nga regjimi nazist dhe vdekjeve tragjike që regjimi ynë komunist u solli mijëra të pafajshmëve që u shpallën armiq të popullit, por thjesht për t’ju thënë të gjithëve ju se ne, shqiptarët, e njohim si dhimbjen e pashembullt të plagëve të mëdha të historisë, ashtu edhe nevojën e pakrahasueshme për të mos i harruar kurrë shkaqet e tyre.
Ne jemi dy kombe të vegjël si madhësi, por me shpirt të jashtëzakonshëm. Meqë ra fjala, u gëzova shumë kur mora vesh se popullata hebreje në Izrael arriti në 10 milionë banorë, sepse besoj që çdo hebre i porsalindur është bekim jo vetëm për Izraelin, po për mbarë botën, borxhi i së cilës ndaj hebrenjve nuk mund të fshihet kurrë.
Sidoqoftë, duke iu kthyer madhështisë së shpirtit të kombeve tona, më duhet të citoj mikun tim të madh, të ndjerin Shimon Peres, i cili thoshte, “Shpirti nuk mund të digjet në furra”. Po, shpirti triumfon ngaherë.
Me lini t’ju rrëfej bindjen time të patundur se shpirtrat tanë mund të përballen me sprova, të vogla a të mëdha, kohë pas kohe, me kundërshtitë e historisë sonë të tashme dhe të ardhme, por, në fund të gjithçkaje, ata do të triumfojnë ngaherë dhe kombet tona të vogla do dalin më të forta nga çdo sprovë.” -tha Rama.