Tomor Alizoti, është deputeti i radhës nga PD, që ka reaguar për dënimin e Ervin Salianjit. Ai thotë se vendimi është marrë nga Edi Rama dhe për këtë, sipas tij, ai do marrë përgjigjien e merituar.
“Grykësia është mëkati kryesor. Edi Rama është shembulli i shpërfytyrimit dhe degradimit nga mbipushteti.
Vendimi për kolegun tonë Salianji, është shenja e fundit e paaftësisë së tij politike. Dënimi i Salianjit është një hakmarrje primitive, një përdhunim i gjyqësorit nga kryeministri. Ata tre gjyqtarë mjeranë, janë pjesë e listës së zgjedhur me kujdes nga Partia në pushtet. Si pjesëtarë të banalitetit të së keqes, ata nuk mund të merrnin vendim tjetër nga urdhri publik i kryeministrit. Edi Rama e kërkoi publikisht dhe hyzmeqarët e veshur me të zeza e zbatuan urdhrin e shefit de fakto.
Sot nuk ka shqiptar e ndërkombëtar të mos e dijë se vendimi për Salianjin është shkruar nga duart e vëllezërve të trafikantëve të heroinës e kokainës dhe miratuar nga vëllai i shoferit të tyre, kryeministër. Ndaj dënimi i Salianjit është vetëm një nderim për të dhe shembulli më i qartë se Shqipëria po shkon përditë e më shumë drejt autokracive lindore. Asnjë shembull me qeverisjen perëndimore nuk ka sjellja e Ramës, vendimet e tij, uzurpimi që i bën ai pushteteve. Por si një njeri mediokër dhe i pangopur që është, nuk e kupton që grykësia është lajmëtari i fundit të vet.
Marrja përsipër nga Edi Rama e vendimit të gjykatës, që burgos deputetin e opozitës për denoncimin e vëllait trafikant të ministrit, tregon qartë se ai nuk ka më asgjë politike në sjellje dhe vendime. Është thjesht një qenie që nuk di të frenojë epshet e tij. Dhe duke qenë kryeqenia e sojit të vet dhe të jetë edhe trofeu i bashkëjetesës. Nga sot, vetëm dënimi i tij mund të shpëlajë drejtësinë nga zhuli i përdorimit. Nga sot ose drejtësia e re duhet të hetojë kryeministrin e qeverisë me më shumë trafikantë droge dhe të korruptuar, për bëmat që qelbin erë nga SHBA në Gjermani, nga Italia e deri në Arabi, ose duhet të pranojë që është një vegël që ai e përdor sipas epsheve të veta.
Sfida është e rëndë, dhe dënimi i Salianjit është një shembull ulëritës se ku është ulur drejtësia e re. Por, dënimi i Salianjit tregon qartë se pushteti i Edi Ramës nuk kërkon bashkëjetesë me shoqërinë, por kërkon ta dhunojë, trembë e burgosë atë. Dhe në këto kushte, ose ndërhyn drejtësia, ose reagon shoqëria. E sigurt se provat e Edi Ramës me vendime prej diktatori do e marrin një përgjigje”, shkruan Alizoti.