Sekretarja për Familjen dhe Kundër Shpopullimit në Partinë e Lirisë, Brunilda Haxhiu theksoi sot se “ndalimi i shpopullimit të Shqipërisë është sfida më e madhe për politikën dhe shoqërinë, ndaj dhe ndërhyrja duhet të jetë urgjente”.
Në një deklaratë për medie, Haxhiu tha se “mbyllja e perspektivës për të rinjtë është rrënja e shpopullimit të Shqipërisë”.
“Të rinjtë tanë nuk e shohin të ardhmen në atdheun e tyre, por gjithmonë e më shumë largohen. Vendi ynë ka treguesit më të lartë të mosarsimimit dhe mospunësimit të rinisë në Europë dhe rajon.
Shkalla e papunësisë për të rinjtë është 27.1 % (grupmosha 15- 24 vjeç) pra dyfish më e lartë sesa shkalla e papunësisë për të gjithë popullsinë”, nënvizoi Haxhiu.
Sipas saj, frenimi i zbrazjes së Shqipërisë duhet të bëhet shqetësimi kryesor i çdo shqiptari.
“Partia e Lirisë është e vendosur në misionin e saj. Dera jonë është e hapur për çdo patriot që do t’u kthejë shpresën shqiptarëve tek atdheu i vet”, tha Haxhiu.