Në intervistën në “off the record”, deputeti Enkelejd Alibeaj foli dhe për “grupimin” e ri parlamentar që ka krijuar së bashku me 4 deputetët e tjerë dhe objektivat e tij për zgjedhjet e ardhshme si dhe çështjet ku ndahet nga Sali Berisha.
Alibeaj deklaroi se ky grupim kërkon të tregojë se ka një opozitë tjetër nga ajo e Sali Berishës, e cila sipas tij është e izoluar nga ndërkombëtarët.
“PD është në dorën private të Berishën. Nuk ka disidencë, apo fraksion. Ka një problem shumë të madh me ndërkombëtarët. U largova bashkë me kolegët e mi. Çështje të tilla si dakordësia me Ramën për të goditur drejtësinë me amnistinë dhe pazarin për listat e mbyllura… Unë flas me fakte. Për komisionin e reformës zgjedhore, ishte kërkesa e PS dhe ndeshën refuzimin total timin dhe të kolegëve. Shqiptarët kishin nevojë për t’i vënë kufi pushtetit të Ramës për të vjedhur zgjedhjet me para, banda, patronazhistë, votim elektronik, Shqipëria një zonë, që Rama mos merrte 12 mandate. E mbani mend. Rama pa që nga ana tjetër mund të bënte pazar, sepse askush nuk ngriti asnjë problem të vetëm”, tha Alibeaj.
Mes të tjerash, Alibeaj u pyet nëse do të pranonte dhe ish-udhëheqësin e tij në këtë grupim, për të cilin tha se ai nuk është tërhequr ende nga grupi parlamentar i PD në Kuvend.
“Grupimi prej 5 deputetësh është parlament, jo politik për të treguar se ka një tjetër opozitës, ndryshe nga ai nën Sali Berishën. Nuk na bashkon për shkak të raportit të drejtësisë, mbështesim shembujt e mirë të saj. Së dyti, lidhur me partnerët ndërkombëtar. Kur dënohet me burg një deputet i opozitës duhet të jetë alarm dhe për partnerët ndërkombëtar. Nuk ka një kanal komunikimi me partnerët ndërkombëtar. Segmenti i Berishës është i izoluar. Ne i kemi. Kemi vendosur që prezantimin në zgjedhjet e ardhshme ta bëjmë me lista të hapura. Nuk bëhet fjalë për individë të veçantë. Akti që unë bëra me Açkën dhe Agalliun ishte largimi nga grupi i PD, Basha nuk e ka bërë ende. Shehi dhe Jakupllari e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre”, përfundoi Alibeaj.