Veliaj dhe Spiropali tur në gjithë Qarkun e Tiranës: Sot jemi më afër se kurrë BE-së! Fitorja e radhës për rritjen më të madhe të pensioneve dhe rrogave

Shqipëria

Veliaj dhe Spiropali tur në gjithë Qarkun e Tiranës: Sot jemi më afër se kurrë BE-së! Fitorja e radhës për rritjen më të madhe të pensioneve dhe rrogave

Më: 29 shtator 2024 Në ora: 16:35
Foto ilustrim

Drejtuesit politikë të Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, nisën sot një tur të shpejtë në të gjithë qarkun, për t’u takuar me anëtarët socialistë të Kamzës, Vorës, Kavajës dhe Rrogozhinës, si parapërgatitje për zgjedhjet e 2025.

Në takimin me strukturat e PS në Kamzë, ku morën pjesë edhe deputetja e PS, Lindita Nikolla dhe kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, Veliaj tha se me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, Shqipëria është më afër se kurrë familjes evropiane.

“Duhet ta ngremë Flamurin e Republikës së Shqipërisë në oborrin e Bashkimit Europian. O jemi afër sot, o s’kemi qenë kurrë më përpara! Kjo është arsyeja pse na duhet ky mandat i katërt, për ta çuar Shqipërinë në familjen evropiane, si aspirata e qindra viteve, por është fati ynë, i kësaj skuadre, i PS-së dhe Edi Ramës, që ta përmbushim këtë mision. Është i dukshëm vendimi politik që Shqipëria të ndahet nga të tjerët në rajon, si vendi që po ecën më shpejt, që po përmbush më shumë reforma, dhe është më gati për t’u bërë anëtare e re BE-së. Kjo do të thotë se me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, Shqipërisë i është ngritur koka. Sot pasaporta e Shqipërisë vlen më shumë, himni dhe flamuri i Shqipërisë respektohen më shumë, sot shqiptarët trajtohen kudo me më shumë konsideratë”, tha ai.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali tha: “Ne do flasim për veten, puna jonë duhet të flasë për ne dhe unë mezi pres të punoj me secilin prej jush, në të gjitha qëndrat e votimit, për t’i dhënë një fitore PS, Edi Ramës, në Bashkinë e Kamzës, në Bashkinë e Kavajës, në Bashkinë e Rrogozhinës, në Bashkinë e Vorës, patjetër në Bashkinë e Tiranës, ku Erioni dhe Ogerta po punojnë së bashku, dhe kudo tjetër në Shqipërinë tonë, e cila në 2030-ën, duhet të jetë anëtare e Bashkimit Europian dhe nuk mund të mbahet peng nga askush dhe për asnjë arsye”.

Ndërkaq, Veliaj nënvizoi se ambicia për mandatin tjetër të PS është rritja më e madhe e pensioneve dhe rrogave të shqiptarëve.

“Unë besoj fort te ambicia që shtroi kryeministri në Asamble dhe në Kongres, – por sidomos grupet e punës, që tashmë kanë filluar të gjitha analizat dhe propozimet konkrete, – që ky të jetë mandati i rritjes më të madhe ndonjëherë të pensioneve dhe rrogave. Këtë mandat, këtë fitore, ta përkthejmë të gjithën jo si fitore për inat të tjetrit, por si fitore për të rritur masivisht pensionet për gjyshërit dhe prindërit tanë. Ky është misioni! Rritja e rrogave dhe pensioneve është mënyra më e mirë se si përkthehet gjithë ky idealizëm, gjithë ky pasion, ky afrim me Evropën”, tha ai.

Më tej, Veliaj u ndal edhe te vota e diasporës, teksa kërkoi prej strukturave një angazhim edhe më të madh për të siguruar mbështetjen e tyre.

“Mesazhi i tretë ka të bëjë me votën e emigrantëve. Ne kemi potencialin për një Parti Socialiste të dytë, për një skuadër si kjo, të dytë, që jeton jashtë vendit. Në fakt, filozofia nuk duhet të jetë të shkojmë jashtë e t’i gjejmë ku votojnë. Filozofia duhet të jetë krejt ndryshe. Të gjejmë të gjitha familjet tona, kushërinjtë tanë, komshinjtë, krushqitë tona në secilën prej organizatave tona, duke ditur që janë të regjistruar, dhe duke i gjetur nga këtu, për t’i inkurajuar që, kur të hapet dritarja e KQZ-së për regjistrimin e emigrantëve, ne që aty do të duhet ta dimë sa do jetë fitorja jonë”, deklaroi Veliaj.

Veliaj dhe Spiropali zhvilluan takime edhe me strukturat socialiste të Vorës, Rrogozhinës dhe Kavajës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat