PD ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar, ndërsa kryedemokrati merr pjesë përmes videokonferencës.
Në nisje të mbledhjes, Edi Paloka tha se kanë dalë në një propozim konkret për mënyrën sesi do të vazhdojë aksioni opozitar, teksa tha se ka ndryshuar data e protestës së thirrur prej tyre, nga data 6 është spostuar në datën 7 tetor, në orën 18:00.
Berisha u ndal te arrestimi dhe burgosja e deputetit Ervin Salianji, duke e cilësuar “vendim politik si plumba për opozitën”.
“Sot mbledhje emergjente të lidhur me fatin e demokracisë, e pluralizmit, dhe sovranitetit kombëtar. Prej ditësh nuk është ajo që ishte. Pas 34 vitesh në Shqipëri është kthyer hija e zezë e narkodiktaturës që ka zëvendësuar shtetin ligjor me kodin e mafies. Dy ditë më parë një deputet i opozitës, guximtar, Ervin Salianji, një politikan i ri, që nuk ka qenë kurrë në pushtet, që nuk ka pasur poste, u dënua me burg, u burgos sepse guxoi të bëjë detyrën e tij dhe të denoncojë publikisht vëllazërinë më të rrezikshme të mafies së drogës të atyre viteve.
Me burgosjen e Salianjit për denoncimin e tij guximtar, Rama nisi fushatën e hakmarrjes, terrorit ndaj opozitës dhe shqiptarëve. Në sytë e çdo shqiptari, ishin dëshmitar të triumfit në sallën e gjyqit, në sallën e parlamentit, nën rreshtimin me urdhër politik të të gjitha institucioneve të narkoshtetit dhe drejtësisë sorosiane, në përdorimin e vendimeve politike si plumba për opozitën duke burgosur një deputet, të ri politik të pafajshëm”, tha Berisha.
Berisha më tej u ka kërkuar të tijve të bëhen gati për “luftë” dhe rezistencë deri në qeveri teknike.
“Thirrje në radhë të parë opozitës, demokratëve, burgosja e Salianjit ishte deklarata e fundit e luftës që Edi Rama shpalli ndaj nesh, por ne jemi të vërtetë.
Rama na ka bërë disa deklarata lufte deri më sot, vjedhja e flamurit tre vite më parë, burgosja e liderit të opozitës, se e dinte që s’do fitonte zgjedhje të tjera…
Çdo demokrat ta ketë të qartë se shqiptarët pas këtyre nuk na duan të qëndrojmë në mbrojtje se pas të gjitha këtyre, presin nga ne sulm dhe vetëm sulm.
Revolta jonë, sulmi ynë, duhet të jetë në nivelin e sulmeve që na janë bërë për ta na fshirë nga faqja e dheut. Ndaj burgosja e Salianjit duhet të jetë për çdo demokrat, çdo qëndrim në mbrojtje është fitore për Ramën, ndaj dhe ne do kalojmë në sulm.
Rama ka instrumente për të na burgosur, por ne kemi instrumente që me guximin tonë, e paralizojmë anëekënd vendit këtë qeveri armike të të drejtave, dinjitetit.
Sot koha të përdorim këto instrumente, të hidhemi në sulm me mjetet e mosbindjes civile, rezistencë pa kthim deri në fitore, por presim udhëheqjen dhe mobilizimin tuaj.
Ndaj kjo mbledhje është thirrur për t’u rënë borive të betejës, për përgjigjen tonë më 6 tetor, o sot o kurrë, të paralizohet qeveria deri në qeveri teknike. Është radha jonë dhe ne do i qëndrojmë”, tha ai.