Ministri i Brendshëm do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave, si kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, emrin e Ilir Prodës. Vendimi i Qeverisë për këtë kandidaturë do të merret në mbledhjen e radhës. BalkanWeb mëson se kryeministri Edi Rama do të firmosë emrin e Prodës të mërkurën.
Komisioni i Posaçëm i dorëzoi në bazë të ligjit Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar, paraqitur si më poshtë sipas rendit alfabetik: Altin Mena, Ardian Çipa, Ilir Proda, Neritan Nallbati, Skënder Hita.
Me më shumë pikë nga konkursi ka rezultuar Ilir Proda, aktualisht drejtor i Policisë së Elbasanit.
Komisioni i Posaçëm i ngritur sipas parashikimit të të njëjtit ligj, zhvilloi seanca dëgjimore me qëllim vijimin e procesit të vlerësimit për 11 kandidatët e kualifikuar, sipas kritereve të këtij procesi. Seancat dëgjimore u ndoqën nga misionet partnere pranë Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, ICITAP dhe EU4LEA, në rolin e vëzhguesit të procesit.