“Kapitull i ri për drejtësinë”, Manja: Pas trajnimeve, gjyqtarë e prokurorë do të kenë akses në ekspertizë ndërkombëtare

Shqipëria

“Kapitull i ri për drejtësinë”, Manja: Pas trajnimeve, gjyqtarë e prokurorë do të kenë akses në ekspertizë ndërkombëtare

Më: 30 shtator 2024 Në ora: 14:38
Ulsi Manja

Sot hapëm një kapitull të ri për drejtësinë në Shqipëri, u shpreh ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ndërsa mbajti një fjalim në një ceremoni për Projektin e Binjakëzimit të Shkollës së Magjistraturës, në partneritet me Francën, Italinë dhe Holandën.

Manja tha se po sjellim standardet më të larta ndërkombëtare për trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj.

Drejtësia që duam kërkon përgatitje të shkëlqyer dhe transparencë – dhe ky projekt, i mbështetur nga Zyra e Delegacionit të BE-së është një hap i madh përpara.

“Ndërkombëtarizimi i Shkollës së Magjistraturës është një objektiv strategjik i drejtësisë shqiptare. Bashkëpunimi me institucione të respektuara ndërkombëtare, si Shkolla Franceze dhe Italiane e Magjistraturës, dhe Qendra e Studimeve Gjyqësore të Holandës, kontribuon jo vetëm në përmirësimin e mëtejshëm të programeve tona akademike, por edhe në përgatitjen e brezave të rinj të magjistratëve me një perspektivë të gjerë, ku vlerat e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës janë në thelb të punës së tyre.

Partneriteti që fillon sot është një hap konkret drejt zhvillimit të një programi trajnimi të bazuar në praktikë, ku magjistratët e rinj do të kenë mundësinë të përfshihen në një mjedis ndërkombëtar të shkëmbimit të eksperiencave dhe të metodave të reja. Ky model trajnimi fillestar, i cili kombinon teorinë me praktikën, siguron që gjyqtarët dhe prokurorët tanë të jenë të përgatitur për të përballuar sfidat e kompleksitetit të çështjeve të reja që paraqet epoka moderne, duke përfshirë teknologjinë e informacionit dhe procesin e integrimit Evropian”, tha Manja.

Sipas tij, një tjetër element i rëndësishëm është edhe zhvillimi i trajnimit vazhdues për gjyqtarët dhe prokurorët në detyrë. Ai tha se përmirësimi i vazhdueshëm i aftësive dhe njohurive të tyre është thelbësor për një sistem të drejtësisë që i përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe respekton standardet më të larta ndërkombëtare.

Përmes programeve të reja të trajnimit, tha Manja, magjistratët tanë do të kenë akses në ekspertizë ndërkombëtare dhe mundësi për të forcuar më tej integritetin dhe pavarësinë e tyre profesionale.

“Shkolla e Magjistraturës ka treguar se është një qendër e rëndësishme për formimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri. Sot, me këtë bashkëpunim, ajo bën një hap përpara drejt zhvillimit si një qendër ekselence jo vetëm për magjistratët, por edhe për juristët e të gjitha niveleve. Ambicia jonë është që Shkolla të bëhet një pikë referimi për të gjithë ata që kërkojnë të rrisin njohuritë dhe kapacitetet e tyre profesionale në fushën e drejtësisë, duke kontribuar kështu në ngritjen e cilësisë së drejtësisë në vendin tonë.

Kjo arritje nuk do të ishte e mundur pa përkushtimin dhe mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për Delegacionin e Bashkimit Evropian për këtë bashkëpunim të vyer dhe për përkushtimin e tyre në përkrahjen e reformave tona në drejtësi.

Në përfundim, më lejoni të theksoj se ky binjakëzim përfaqëson një moment kyç për rritjen e kapaciteteve tona në sektorin e drejtësisë. Duke zhvilluar programe të standardeve të larta ndërkombëtare, jemi të bindur se do të kontribuojmë në forcimin e sundimit të ligjit dhe në konsolidimin e një sistemi drejtësie të drejtë, transparent dhe të besueshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë”, theksoi Manja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat