Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha ka marrë pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Popullore Europiane, në Këshillin e Evropës.
Në një postim në Facebook, Basha ka diskutuar për disa çështje të rëndësishme mbi gjendjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri, si bazament i demokracisë dhe zhvillimit të vendit.
Në seancën me Sekretaren e Komisionit të Venecias, Basha e vuri theksin tek nevoja për të çuar përpara vetting-un në politikë, të bllokuar nga mazhoranca.
Basha gjithashtu foli mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka dhe arrestimin e deputetit të opozitës, Ervin Salianji.
“Në këtë takim më dha mundësinë të shtroja për diskutim disa çështje të rëndësishme mbi gjendjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri, si bazament i demokracisë dhe zhvillimit të vendit.
Nevoja për të çuar përpara vettingun në politikë, të bllokuar nga mazhoranca por i mbështetur në parim nga Komisioni i Venecias; kriza kushtetuese e nxitur nga mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Xhaçka, si dhe arrestimi i deputetit të opozitës Ervin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë, ndërkohë që vëllai i ish-ministrit Xhafaj rezultoi të ishte i dënuar dhe vetë ministri subjekt i ligjit antimafia, janë çështje që meritojnë vëmendjen e Komisionit të Venecias dhe KiE, për të forcuar përpjekjet e përbashkëta në lidhje me sfidat me të cilat përballen shteti i së drejtës, sundimi i ligjit dhe demokracia funksionale në Shqipëri”, shkroi Basha.