Policia e Shtetit deklaron se gjatë muajit shtator janë finalizuar 82 operacione policore dhe janë vënë në pranga 527 autorë të dyshuar krimesh. Po kështu janë nxjerrë para drejtësisë 16 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të Shqipërisë ose shteteve të tjera.
Gjatë muajit të kaluar janë asgjësuar gjithashtu 10053 fidanë/bimë Cannabisi (disa në proces tharjeje), si dhe janë sekuestruar 24 armë zjarri, sasi Tritoli, 6 ndezës granatash, pjesë armësh, rreth 33 kg Cannabis Sativa, 1,8 kg Kokainë, si dhe mijëra doza të këtyre lëndëve dhe të lëndëve LSD, Metamfetaminë dhe Ekstazi.
Në bilancin e 30 ditëve, policia bën me dije se janë goditur 4 grupe kriminale, konkretisht:
-në Tiranë megaoperacioni “Tempulli 4” arrestoi në flagrancë 15 shtetas që shitnin lëndë narkotike në ambiente që frekuentoheshin nga të rinjtë;
-në Vlorë u arrestuan 9 shtetas që shitën lëndë narkotike gjatë një koncerti në plazhin e Delisufit;
-operacioni “No chance” vuri në pranga 8 shtetas që falsifikonin dokumente që shërbenin për kalime ilegale të kufijve;
-operacioni “Electronics” nxorri përpara përgjegjësisë penale 4 shtetas kinezë që tentuan të kontrabandonin nëpërmjet PKK Rinas, pajisje elektronike, të cilat i përdornin për lojëra fati dhe për prostitucion.
Po kështu është parandaluar përshkallëzimi i 2 konflikteve me armë zjarri, në familje dhe mes fqinjësh, në Vlorë. I njëjti qark ka finalizuar operacionin “Knock out 7”, gjatë të cilit u parandaluan ngjarje të rënda kriminale të cilat mund të kryheshin me 10 pistoletat e sekuestruara nga Policia, në tentativë për t’i shitur në Sarandë;
janë zbardhur 2 vrasje të kryera në Shënavlash, Durrës, dhe në Shkodër, gjatë muajit gusht, si dhe është zbardhur një plagosje e dyfishtë me armë zjarri, e kryer në fshatin Vrakë, Malësi e Madhe;
operacionet “Exchange”, “Sundimi i ligjit”, “Falco”, “Kopja” dhe “Storm 25” kanë zbardhur vjedhje në Tiranë, Lushnjë, Durrës dhe Vlorë. Ndërkaq, janë parandaluar 1 vjedhje me armë zjarri në fshatin Nikç, Shkodër, dhe vjedhja në një banesë në Durrës;
janë goditur 23 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojës Poker, lojërave me makineta dhe basteve sportive. Në këtë kuadër, janë zbuluar disa lokale të përshtatura për këtë paligjshmëri;
gjatë operacioneve “Apps”, “Flop” dhe “Përsëritësi”, janë vënë në pranga 3 shtetas që mashtronin qytetarë, për t’iu marrë shuma të konsiderueshme parash;
më tej, sektorët kundër krimeve ekonomike në Tiranë, Korçë, Elbasan dhe Fier kanë goditur 6 raste të kontrabandës së naftës, bizhuterive, celularëve dhe cigareve;
strukturat e specializuara për goditjen e krimeve kibernetike finalizuan 2 operacione policore në këtë fushë dhe kontribuan për zbardhjen e vrasjes në Shënavlash;
janë goditur 4 raste të transportimit të emigrantëve, me qëllim kalimet ilegale të kufijve;
janë trajtuar ligjërisht 114 raste të dhunës në familje dhe është reaguar shpejt, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, për 12 raste zjarresh;
iu është dhënë ndihmë në 25 raste nevoje, shtetasve që ishin bllokuar në zona malore ose detare, për shkak të motit ose defekteve në mjetet me të cilat ata lëviznin;
janë bllokuar 35 mjete lundruese, pasi drejtuesit lundronin në cenim të perimetrit të sigurisë dhe/ose nuk kishin dokumentet e nevojshme. Masat administrative për këto shkelje variuan nga 10 000 – 110 000 lekë.
Policia Rrugore ka vijuar kontrollet dhe monitorimet intensive, në të gjitha akset e vendit, duke përdorur mjetet logjistike inteligjente që ka në dispozicion, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lëvizjen e lehtësuar të përdoruesve të rrugës.
Si rezultat i kontrolleve:
-janë vënë në pranga 148 drejtues mjetesh, nga të cilët 101 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 47 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi;
-janë pezulluar 445 leje drejtimi, nga të cilat 127 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 67 për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 251 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.
Policia Kufitare ka qenë tërësisht e fokusuar për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe etik, për qytetarët në hyrje/dalje, në të gjitha pkk-të, për të garantuar qarkullimin e lirë dhe të sigurtë të shtetasve, mallrave dhe shërbimeve, si dhe për të parandaluar dhe goditur krimet kufitare.
Si rezultat i punës dhe angazhimit për përmbushjen e këtyre prioriteteve, janë goditur 43 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve, 12 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufijtë, 7 raste të trafikimit të mjeteve motorike, 6 raste të trafikimit të lëndëve narkotike dhe 2 raste të mosdeklarimit të parave në kufi.
Policia e Shtetit mbetet maksimalisht e angazhuar për të vijuar megaoperacionet policore, bashkëpunimin me qytetarët, aleatin e saj kryesor, si dhe partneritetin me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.
Apelojmë për çdo shtetas që të denoncojë në njësitë fizike të Policisë ose në numrin pa pagesë 112, çdo paligjshmëri që has, si dhe të telefonojë për ndihmë në çdo rast nevoje.