Nga kaosi në Kuvend te protesta e 7 tetorit, Paloka zbardh skenarin e opozitës: Ja çfarë pritet të ndodhë

Shqipëria

Nga kaosi në Kuvend te protesta e 7 tetorit, Paloka zbardh skenarin e opozitës: Ja çfarë pritet të ndodhë

Më: 1 tetor 2024 Në ora: 12:05
Edi Paloka

Deputeti demokrat Edi Paloka, kaosin dhe flakët e ndodhura pasditen e së hënës në parlament, e quan një reagim normal mbas situatës së krijuar.

I ftuar në një intervistë televizive, ai tha se përshkallëzimi ishte në projektet e opozitës dhe jo thjesht për çështjen e deputetit Ervin Salianji, për të cilin u shpreh se ishte një shkëndijë që iu dha kësaj situate që ishte e ndezur dhe priste të shpërthente.

Sipas tij, ajo që bën deputetët dje ishte një akt simbolik, por ajo që pritet të mos jetë thjesht simbolike është reagimi i qytetarëve në datë 7.

“Unë uroj që reagimi i tyre të mos jetë në përputhje me atë që bën kjo qeveri. Me një qeveri që ka kthyer diktaturën në Shqipëri nuk ka rrugë tjetër.

A fitojmë apo jo me këtë rrugë, kjo mbetet për tu parë. Këtu jemi në momentin ose reagojmë ose vdesim.

E kam fjalën për vdekje politike të pluralizmit dhe opozitës në Shqipëri.

Nuk do jem kurrë i shqetësuar për ata që bëjnë sikur reagojnë për djegien e 30 karrigeve dhe i lëpihen përditë Edi Ramës. Është çështje reagimi, ose reagojmë ose vdesim.

Shqetësohen për djegien e 30 karrigeve dhe nuk shqetësohen për vjedhjen e qindra milionë eurove.

Nuk shqetësohem fare se sa centimetër afër i kaloi druri i karriges Elisa Spiropalit, druri duhet të jetë mbi shpinën e qeveritarëve çdo ditë.

Ndryshe nuk ka zgjidhje. Nuk ka lidhje fare me aktet e djeshme. Ky realitet ndryshohet vetëm forcërisht, Rama nuk njeh rrugë tjetër.

Deputetët bëjnë akte simbolike, qytetarët nuk bëjnë vetëm akte simbolike.

Shkon në burg një deputet me dëshmitar falso, dosje të sajuar dhe me një akuzë që nuk ekziston në Kodin Penal.

Ditën që burgosi Salianjin, Edi Rama kërcënoi direkt Gaz Bardhin, për ti thënë që tjetri je ti. Bardhi u shantazhua në telefonin e tij.

Gjithë qëllimi i shantazhit ishte i çuan ca materiale në telefon, ku del emri i Vis Martinaj dhe një tjetri që të dy janë zhdukur, pikërisht ditën kur Bardhi nxori emra ministrash si të implikuar në aktivitet kriminal.

Salianji ishte i radhës, jemi të gjithë në atë radhë. Greva e urisë nuk më duket zgjidhje në këtë rast.

Greva i leverdis Ramës që ne të rrimë të ngujuar aty dhe ai të bredhë në gjithë botën.”

Lidhur me takimin e thirrur me aleatët në orën 12.00 për aksionin në protestën e 7 tetorit, deklaroi se kishte një projekt për datën 6 por më tej u ra dakord për datën 7.

“Do të jetë një protestë pa fjalime, e cila do të nisë nga pika simbol i të keqes, kryeministria, dhe do shtrihet në gjithë rrugët e Tiranës, sheshi i protestës do jenë gjithë rrugët e Tiranës.”

Ndër të tjera shtoi se në SPAK duhet të shkojë Edi Rama dhe Erion Veliaj, jo deputetët e Partisë Demokratike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat