Deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji deklaroi sot se, Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve i gjen sot të moshuarit në Shqipëri pa dinjitetin që ata meritojnë.
Sipas saj, të moshuarit janë shpërfillur për 11 vite nga kjo qeveri, duke u trajtuar thjesht si njerëz që duhen 1 herë në 4 vite, kur ka zgjedhje.
Në një deklaratë për mediet, Gjergji u shpreh se, “ata janë rreth 20 % e popullsisë së vendit dhe përballen çdo ditë me sfida e probleme jetësore.
Nga mungesa e trajtimit të duhur shëndetësor, mungesa e vëmendjes, e politikave dhe më e rënda, pensionet qesharake, tallëse.
Nën pragun e minimumit jetik; duke mos plotësuar dot nevojat bazike.
Pa përmendur këtu, mungesën e ilaçeve, apo të trajtimit të veçantë për të moshuar me nevoja speciale; e duke vijuar me mungesën e parqeve, lulishteve apo këndeve rekreacionale për të moshuarit anembanë vendit”.
Gjergji u shpreh se sot qeveria tallet me rritjen me 700 lekë të pensioneve.
“Çdo i moshuar e kupton se rritja prej 700 e pak lekë për 3 muajt e vitit 2024 nuk do të ketë aspak ndikim në jetesën e vështirë e plot mundime të një pensionisti.
Kjo shtesë, është e papërfillshme përballë rritjes së çmimeve”, tha ajo.