Nisja e “Tetorit të librit” ka bashkuar Qendrën Kombëtare te Librit dhe Leximit, Shoqatën e Botuesve, Bibliotekën Kombëtare dhe autorë në një takim. E pranishme ishte edhe Poetja Laureate e Shqipërisë, Luljeta Lleshanaku e cila pas një bisedë mbi “Poezinë si ide”, tematikat, procesin dhe takimin me lexuesin, preku edhe thembrën e Akilit: Si mund të afrohen të rinjtë te libri e leximi?
“Një nga mënyrat për të tërhequr brezin e ri është reformimi i teksteve shkollore lidhur me letërsinë, një proces që nis që në shkollat fillore, gjimnazet e fakultetet. Duhet të reformohet arsimi që të joshësh e të tërheqësh e ta bësh interesante letërsinë që në bankat shkollore, dhe tjetra është aktivitetet kulturore për promovimin e librave që vërtetë vlejnë si tërheqje për të krijuar audiencat rinore të librit”, tha Lleshanaku.
Ndërsa drejtorja e QKLL-së, si organizatore e “Tetorit të librit” u ndal te nismat e këtij viti dhe rëndësia e librit, kreu i shoqatës së botuesve, foli sërish për injorim dhe
“Të bashkërendojmë punën tonë për të ndikuar që të lëxohet sa më shumë. Të gjithë ne ndeshemi me indeferentizmin, neglizhencën dhe injorimin por unë si botues mund t’ju them se kur hasim këto, injorojini dhe tregojini që jemi më të fortë, se ne kemi punë të rëndësishme për të bërë që e them me kënaqësi e vetëkënaqësi, që ne e bëjmë shumë mirë”, tha Ymeri.
Tetori i librit synon nxitjen e kulturës së leximit, ndërsa organizon takime e biseda me shkrimtarë e përkthyes.