Ilir Proda është emëruar zyrtarisht Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Vendimi u mor sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe u lajmi bë i ditur nga ministri i Brendshëm pas mbledhjes së qeverisë në një komunikim për mediat.
“Me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave miratoi Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z.Ilir Proda. Pas një konkurrimi mbi më shumë se 10 drejtuesish të lartë policie dhe verifikimet e bëra nëpërmjet procesit të pastërtisë së figurës së kandidatëve, kandidati i cili sot u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë do të jetë në krye të Policisë së Shtetit”, tha ministri Hoxha.
Menjëherë pas emërimit të drejtorit të ri, do të nisë procesi i konkurrimit edhe për drejtuesit e policisë në qarqe.
“Menjëherë pas emërimit të tij si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, do të vendosim konkurrimin e ri i cili do të hapë një proces të ri përsa i përket të gjithë drejtuesve në qarqe”, theksoi ministri Hoxha.