Sekretariati i Etikës ne Kuvend është mbledhur prej tre orësh për të vendosur mbi kërkesën e maxhorancës për përjashtimin e 24 deputetëve të PD-së, që shkaktuan zjarr dhe dhunë në seancën parlamentare të së hënës.
Gazetarja Fiona Xhafaj raportoi se, ndonëse deputetët demokratë tentuan të krijonin kaos, mbledhja po vijon dhe pritet që të jepet vendimi pas këqyrjes së të gjitha pamjeve filmike nga Kuvendi.
“Mbledhja, e cila ka nisur që prej orës 15:00 pas një ndërprerje të shkurtër nga kaosi nga deputetët demokratë që tentuan ta ndërprisnin, vijon normalisht. Është mbledhje e gjatë për shkak se deputetët janë duke shqyrtuar pamjet filmike nga seanca plenare, ku pati jo vetëm zhurmë por edhe akte dhune dhe më tej kjo dhunë mori një tjetër formë me nxjerrjen jashtë të karrikeve dhe djegien e tyre. Sot do të vendoset edhe masa ndëshkimore për 24 deputetët e opozitës. Elda Hoti, e cila kishte në çantë shishen e benzinës që u mor nga Flamur Noka, nuk është referuar që duhet të merret në shqyrtim për një masë ndëshkimore. Do të shihet nëse do të jetë një vendim i njëjtë për të gjithë deputetët apo i diferencuar në bazë të veprimeve të tyre.“, raportoi gazetarja.
PS kërkon masë ndëshkimore për deputetët: Gazmend Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Saimir Korreshi, Lefter Gështenja, Luan Baçi, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho.