Përplasje të forta në gjyqin ndaj Leonard Dukës: “O maskara, më vrave djalin 25-vjeç”

Shqipëria

Përplasje të forta në gjyqin ndaj Leonard Dukës: “O maskara, më vrave djalin 25-vjeç”

Më: 2 tetor 2024 Në ora: 19:45
Leonard Duka

Në GJKKO në Shqipëri u zhvillua sot seanca gjyqësore për ish-policin Santiago Malko, personin e afërt të Ervis Martinajt, i cili u vra nga grupi kriminal rival i drejtuar nga Leonard Duka.

Duka u paraqit për herë të parë në seancë, pasi u ekstradua nga Belgjika më 2 gusht të këtij viti.

Gjatë seancës, mamaja e Santiago Malkos shpërtheu në lot dhe në një gjendje të rënduar emocionale iu drejtua Dukës: “O masakara, më vrave djalin 25 vjeç, o qen. Si del ti aty??”.

Ndërkohë, Duka tha se do t’i jepte deklaratat e tij pasi të njihej me aktet, duke kërkuar më shumë kohë.

Prokurori Behar Dibra e quajti këtë kërkesë të padrejtë, duke theksuar se ata kishin rënë dakord për të folur sot.

Në përgjigje, mamaja e Santiago Malkos kërkoi dënim maksimal: “Nuk ka çfarë lexon fare. Burgim me vdekje”.

Gjyqtarja Rudina Palloj theksoi se kërcënimet janë të ndaluara në sallë. Gjykata vendosi t’i jepet Dukës kohë për t’u përgatitur. Avokatja e tij tha se nuk ishin gati sot, por do të vazhdonin në seancën e ardhshme kur klienti të ishte gati të përgjigjej.

Leonard Duka, gjatë seancës gjyqësore e akuzoi prokurorin si të korruptuar.

Ai shprehu shqetësimin se prokurori po kërkonte ta dënonte pa prova dhe e inkurajoi të bënte detyrën e tij pa u ndikuar nga krimi i organizuar.

Seanca për Leonard Dukën është shtyrë për 24 tetor në orën 12:30. Në fund të seancës, mamaja e Santiago Malkos u ngrit nga vendi dhe iu drejtua kafazit ku ndodhej Duka. Intervenimi i sigurisë ishte i nevojshëm për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat