Gjirokastër, 53 638 vizitorë shfaqën interes për Muzeun e Luftës së Ftohtë

Shqipëria

Gjirokastër, 53 638 vizitorë shfaqën interes për Muzeun e Luftës së Ftohtë

Më: 3 tetor 2024 Në ora: 07:46
Foto nga vendi i ngjarjes

Muzeu i Luftës së Ftohtë në Gjirokastër mbetet një ndër atraksionet turistike më të vizituara për vitin 2024 në qytetin e gurtë.

Drejtoria e Turizmit, Trashëgimisë dhe Sporteve në bashkinë e Gjirokastrës bëri të ditur për ATSH-në se, “nga janari deri në fund të shtatorit ka pasur një fluks të lartë vizitorësh vendas e të huaj, të cilët kanë treguar interes për këtë muze, që funksionon në vendstrehimin luftarak prej betoni, që është ndërtuar në fillim të viteve ’70”.

“Në periudhën 1 janar – 30 shtator 2024 ky muze u vizitua nga 53.638 turistë, ku përqindja më e madhe janë turistë të huaj si spanjollë, italianë, francezë, belgë, holandezë etj.”, tha drejtoria e Turizmit dhe Sporteve në bashki.

Duke qenë se ndodhet pranë Pazarit karakteristik, i cili është edhe zona më e vizituar nga turistët, Muzeu i Luftës së Ftohtë ka pasuruar dhe e ka bërë më tërheqës udhëtimin e turistëve që vizitojnë Gjirokastrën.

Turistët tërhiqen nga historia e ish-vendstrehimit të ndërtuar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, si dhe mënyra e ndërtimit të muzeut dhe objektet autentike që ndodhen brenda tij.

Në vizitat e tyre në muze nuk mungojnë as fotografitë e shkrepura në mjediset e muzeut, të cilat i ruajnë si kujtim nga vizita në muze.

Një nga mjediset ku turistët shfaqin më shumë interes është edhe salla e konferencave, e cila ishte përdorur për të organizuar mbledhjet e kohës si dhe për të diskutuar rreth objektivave të shtetit.

Tuneli ku ndodhet muzeu është i gjatë rreth 800 metra. Në mjediset e brendshme të tij janë ndërtuar një sërë hapësirash, të cilat do të shërbenin për akomodimin e ish-udhëheqjes komuniste lokale të atyre viteve në rast të një sulmi eventual nga jashtë.

Vendstrehimi përbëhet prej 80 dhomash, salla mbledhjesh, ambiente pune, pushimi, madje pjesë e tij është edhe një depo për furnizimin me ujë të pijshëm, centrali elektrik etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat