Përsëri zjarr e tensione, opozita djeg manekinët me fotot e Edi Ramës, vëllait të tij dhe vëllezërve Xhafaj

Shqipëria

Përsëri zjarr e tensione, opozita djeg manekinët me fotot e Edi Ramës, vëllait të tij dhe vëllezërve Xhafaj

Më: 3 tetor 2024 Në ora: 07:54 Përditësuar në ora: 10:45 më 03.10.2024
Pamje nga vendi i ngjarjes

Opozita u vë zjarrin manekinëve me fotot e vëllezërve Rama dhe Xhafaj

Deputetët e opozitës kanë djegur në oborrin përpara Parlamentit 4 manekinë me fotot e Kryeministrit Edi Rama, vëllait të tij Olsi Rama, ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe vëllait të këtij të fundit Geron Xhafaj.

Manekinët u vendosën përpara derës së Kuvendit.

Më pas u spërkatën me benzinë nga deputetët e opozitës duke iu vendosur zjarrin.

Ky ishte një demonstrim simbolik i opozitës për të shprehur revoltën dhe protestën e tyre.

Përplasje jashtë Parlamentit, opozita nuk lejohet të hyjë në sallë

Në kushtet kur deputetët e opozitës kanë bllokuar dy dyert kryesore të Parlamentit për të mos lejuar ministrat dhe deputetët e mazhorancës të hyjnë brenda përsa kohë nuk lejohen dhe ata vetë, socialistët kanë përdorur një hile që revoltoi të djathtët.

Teksa opozitarët mbanin të bllokuara dyert, në oborrin e Kuvendit u fut makina e kryeparlamentares Elisa Spiropali e shoqëruar nga eskorta, siç e parashikon protokolli.

Deputetët e opozitës u mblodhën përreth makinës së Spiropalit për të mos e lejuar të dilte. Mirëpo, kryeparlamentarja nuk ndodhej aty.

Në situatën kur deputetët e opozitës përqëndruan vëmendjen tek makina e Spiropalit, një pjesë e deputetëve dhe ministrave të mazhorancës përdorën një derë të tretë sekrete të Parlamentit për t’u futur në sallë, duke kapur kështu në befasi kolegët  e tyre të opozitës.

Këta të fundit e kuptuan skenarin. Ishte vetë deputeti i PD Flamur Noka, i cili po qëndronte pranë makinës së Spiropalit, kur tha se kjo e fundit nuk ishte brenda automjetit.

“Nuk ka bir k*** që më ndalon të hyj në Parlament”, deputeti i PS-së përplaset me kolegët opozitarë: Gjallë a vdekur…

Deputetët e opozitës kanë tentuar të ndalojnë deputetët socialistë të hyjnë në Kuvend, pasi atyre vetë iu është ndaluar hyrja.

Deputeti Flamur Noka është përplasur me deputetin e PS-së Frrok Gjini, i cili ka thënë se gjallë a vdekur do hyjë në parlament.

“Nuk ka bir k*** që më ndalon të hyj në Parlament”, tha Gjini.

Flamur Noka: Ik Frrok, hajde tani, ik!

Frrok Gjini: Mos më prek më dorë!

Flamur Noka: Ik Frrok, nuk hyn.

Frrok Gjini: Ore s’më prek kush më dorë mua. S’ka bir k**ve që më ndalon të hyj në Parlament.

Flamur Noka: Frrok hajde me mua të flasim.

Frrok Gjini: S’kam punë me ty, do hyj në Parlament. Nuk kthehem pas unë. Do hyj në Parlament.

Opozita edhe sot ka vazhduar aksionin e saj për të mos lejuar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit, si shenjë protestë për burgosjen e Ervin Salianjit.

Ndërkohë në Kuvend kanë shkuar edhe ministrat e PS, deputetët nuk i kanë lejuar që të futen, madje edhe janë përplasur me ministrin e Financave, Petrit Malaj.

Ndërsa deputeti Luan Baçi dëgjohet ti drejtohet Niko Peleshit “Niko mos bëni të fortin”.

Deputetët e opozitës me plan të qartë, bllokojnë 5 hyrjet e Kuvendit, nuk lejojnë socialistët të futen

Deputetët e opozitës me plan të qartë, bllokojnë 5 hyrjet e Kuvendit.

Ata tentuan të funten brenda ambienteve të Kuvendit, por u bllokuan nga garda.

Deputetët e opozitës tentojnë të hyjnë në sallën e parlamentit, Garda bllokon hyrjen

Deputetët e opozitës dëgjuan një ditë më parë me vendimin për përjashtim me disa javë nga Kuvendi për shkak të incidenteve në seancën e kaluar plenare, por duket se refuzojnë ta njohin këtë dënim.

Këtë të enjte, ata kanë mbërritur në godinën e Kuvendit një orë më herët dhe i kanë kërkuar Gardës t’i lejojë të hyjnë Brenda. Kjo e fundit, qëndron jashtë hyrjes së Kuvendit.

Në këto rrethana, edhe seanca e sotme plenare pritet të shoqërohet me tensione.

''Luftë'' në Kuvend?/ Opozita me 24 deputetë të përjashtuar, ç'pritet të ndodhë sot në parlament

Tensione pritet të ketë në seancën e sotme në Kuvend.

Ashtu si edhe të hënën, deputetët e opozitës kanë “premtuar” një seancë jo normale, aq më tepër pas vendimit të marrë ditën e djeshme nga Këshilli i Etikës për dënimin e deputeteve të PD, në lidhje me kaosin dhe dhunën që përfundoi me djegien e karrigeve jashtë Kuvendit.

Sekretariati vendosi që kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në opozitë, Gazmend Bardhi, bashkë me sekretarin e përgjithshëm të kësaj partie, Flamur Noka, dhe deputetin Bledion Nallbati – të përjashtohen për 60 ditë nga seancat plenare secili.

Ndërsa, 20 deputetë të tjerë janë përjashtuar për 40 ditë.

Një deputet tjetër është përjashtuar për 10 ditë nga seancat parlamentare.

Vendim hyn në fuqi prej ditës së sotme, 3 tetor, kur do të zhvillohet seanca e radhës në Kuvendin e Shqipërisë, tha Sekretariati i Etikës.

Vendimi për përjashtimin e tyre u mor pas kërkesës që bënë një grup deputetësh nga Partia Socialiste në pushtet menjëherë pas seancës së 30 shtatorit, e cila u shoqërua me akte dhune brenda Kuvendit jashtë tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat