Protesta e 7 Tetorit/ Zëdhënësja e PD-së zbulon detaje: S’do ketë fjalime, do drejtohet nga…

Shqipëria

Protesta e 7 Tetorit/ Zëdhënësja e PD-së zbulon detaje: S’do ketë fjalime, do drejtohet nga…

Më: 5 tetor 2024 Në ora: 11:26
Florjana Garo

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Florjana Garo, ishte e ftuar këtë të shtunë në Euronews Albania, ku zbuloi detaje nga protesta që Partia Demokratike pritet të mbajë më 7 tetor. Garo theksoi se në protestë nuk do të ketë dhunë, por do të përdoren metoda dhe forma demokratike të protestës.

“Rasti i zotit Berisha, i cili qëndron pa akuzë i mbyllur në shtëpinë e tij, përveç kësaj, edhe rasti i zotit Salianji, pra janë bërë një seri komponentësh që pas protestave që vijojnë në Partinë Demokratike. Besoj se 7 tetori do të jetë një kulm i kësaj gjendjeje. Sigurisht që ne nuk flasim për dhunë, por flasim për metoda demokratike të protestuarit. Ne nuk besojmë tek armët, nuk jemi parti e tillë. Por ne duam që zëri ynë të dëgjohet dhe të lëmë atë shenjën se ne jemi këtu dhe duam ta mbrojmë demokracinë me çdo kusht”, tha Garo.

Ajo shtoi se në protestë nuk do të ketë fjalime apo persona që do ta udhëheqin, por do të jenë vetë demokratët që do ta organizojnë atë. Sipas saj ky ndryshim në organizmin e formës së protestës nga opozita vjen për shkak së arritjes së pikës së vlimit të pakënaqësive të demokratëve.

“Ajo që mund t’ju them është se protesta këtë herë do të organizohet nga vetë protestuesit. Nuk do ketë udhëheqës në krye të protestës dhe ky është ndryshimi nga protestat e tjera. Nëse në protestat e tjera ka pasur fjalime dhe një organizim më konçiz, këtë herë janë vetë demokratët që do ta organizojnë protestën ashtu siç e ndiejnë. Ky ndryshim ka ndodhur pasi ka ardhur pika e vlimit,” përfundoi ajo.

Garo e përshkroi protestën si një mundësi për të mobilizuar mbështetësit dhe për të adresuar shqetësimet e qytetarëve për situatën aktuale në vend, duke theksuar se është koha për të vepruar dhe për të mbrojtur demokracinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat