Si ka nisur viti akademik në universitetet e vendit?

Shqipëria

Si ka nisur viti akademik në universitetet e vendit?

Më: 7 tetor 2024 Në ora: 11:44
Foto ilustrim

Sot ka startuar një etapë e re akademike për rreth 20 mijë studentë. Përpos Universitetit të Tiranës që gjithnjë regjistron numrin më të lartë të studentëve, ja si ka nisur viti akademik në universitetet e tjera të vendit.

Durrës – Në 5 fakultetet e UAMD, janë regjistruar 1,248 studentë, 43 më shumë se vitin e kaluar. Degët më të preferuara nga të rinjtë në Universitetin ‘Aleksandër Moisiu’ të Durrësit janë Infermieria, Financë-Kontabiliteti, Administrim-Biznesi dhe Teknologjia e Informacionit. Ndërkohë, degët si Histori, Filozofi dhe Gazetari kanë më pak regjistrime, por nuk rrezikojnë të mbyllen gjatë këtij viti akademik. Universiteti ka nënshkruar kontrata me 200 biznese, ku studentët mund të kryejnë praktikat e tyre dhe të kenë mundësi punësimi pas përfundimit të studimeve bachelor. Në total, në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit ndjekin studimet bachelor dhe master mbi 18,000 studentë nga e gjithë Shqipëria.

Shkodër – Në Universitetin “Luigj Gurakuqi” janë ulur për herë të parë në auditor 898 studentë, në 6 fakultete. Në total këtë student e frekuentojnë 5800 studentë. Ekonomiku,drejtësia dhe fizioterapia janë degët më të preferuara ndërsa më pak regjistrime numërojnë Shkencat e Natyrës, si dhe historia e gjeografia. Siç raporton gazetarja e Klan Neës Emi Kalaja, në fjalën e tij para studentëve, rektori Tonin Gjuraj u shpreh se ky vit do të përfshije edhe reformimin e disa degëve të cilat kanë një numër të ulët të regjistrimeve.

Vlorë – 748 studentë janë regjistruar për herë të parë në Universitetin e Vlorës për këtë vit akademik. Më shumë interes ka në Fakultetin e Shëndetit Publik ku janë plotësuar të gjitha kuotat në degën Infermieri e Përgjithshme. Janë rihapur dëget Mësuesi dhe Kimi. Ndërkohë përfundon sot raundi i dytë i regjistrimeve. Faza e tretë e regjistrimeve është nga data 10 deri më 25 Tetor.

Elbasan – Ka patur interes të shtuar edhe për Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në këtë qytet.  Degët e përzgjedhura më së shumti në Elbasan janë ato të Shkencave Mjekësore dhe Teknike, siç janë degët e Infermierisë së Përgjithshme dhe Infermieri Mami. Janë regjistruar mbi 1 mijë studentë, ndërkohë që kuotat kanë qenë mbi 2 mijë.

Korçë – Në Universitetin “Fan Noli” janë regjistruar 487 studentë në 26 programe bachelor në vitin e parë.  Këtë vit është hapur programi i ri i Inxhinierisë Informatike. Mbeten të preferuara degët e Infermierisë dhe Financë-Kontabilitetit.  Më pak të preferuara mbeten programet e Gjuhë Letërsisë dhe Mësuesisë.

Gjirokastër – Nuk ka asnjë degë që rrezikon të mbyllet në Universitetin e Gjirokastrës. Janë më tepër se 350 studentë që kanë zgjedhur të vazhdojnë studimet e larta te “Eqrem Çabej”. Ka interes të lartë për degët e Ekonomikut dhe Infermierisë.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat