Përfundon protesta/ 10 efektivë të dëmtuar, përfshihet nga flakët protestuesi: Pushteti nuk do ketë paqe në Tiranë

Shqipëria

Përfundon protesta/ 10 efektivë të dëmtuar, përfshihet nga flakët protestuesi: Pushteti nuk do ketë paqe në Tiranë

Më: 7 tetor 2024 Në ora: 16:42 Përditësuar në ora: 21:53 më 07.10.2024
Pamje nga protesta në Shqipëri

Përfundon protesta, Noka: Pas kësaj, pushteti nuk do ketë paqe në Tiranë

Përfundon protesta e opozitës, e cila zgjati rreth 3 orë, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka nga selia e PD-së tha se sot ishte dita e parë që mosbindja civile zbriti në rrugët e Tiranës.

Noka tha se ky ishte hapi i parë i mosbindjes civile.

“Regjimi narkos i tërbuar mori një mesazh: jepi zgjidhje kërkesës së qytetarëve, jepi zgjidhje qeverisë teknike, ndryshe narkosi në pushtet nuk do të ketë paqe asnjëherë. Beteja me qytetarët nuk fitohet me gaz as me dhunë. Ne do të vazhdojmë mosbindjen civile, narkosi duhet të largohet dhe ti hapë rrugën një qeverie teknike që ti afrojë vendit një qeveri teknike. Ne do të jemi në mosbindje civile”, tha Noka.

10 policë janë plagosur deri më tani nga protesta e opozitës në Shqipëri.

Policia: 10 efektivë të dëmtuar

Që prej fillimit të tubimit një pjesë e qytetarëve në tubim sulmuan e vijojnë te sulmojnë Policinë dhe godinat e institucioneve shtetërore me molotov e lëndë plasëse.

Deri në këto momente nga sulmet e qytetarëve në tubim, me molotov, lëndë piroteknike e sende të forta ndaj Policisë, janë dëmtuar 10 punonjës Policie.

Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve pjesëmarrës në tubim, të ndalojnë sulmet me molotov e lëndë piroteknike mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.

Policia ka marrë të gjitha masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në sulme mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.

Hedhja e molotovëve në tubimin e opozitës, përfshihet nga flakët protestuesi

Disa nga protestuesit janë përfshirë nga flakët, apo janë vënë në rrezik nga molotovët e hedhur nga mbështetësit e opozitës.

Siç duket nga pamjet, të shumtë janë ata që janë rrezikuar, ndërsa deri më tani 10 policë janë plagosur.

Protestuesit kanë hedhur molotov te Kryeministria, te selia e PS dhe te Ministria e Brendshme.

Rriten tensionet/ Pas Selisë së PS-së, protestuesit djegin edhe bashkinë e Veliajt

Pas selisë së PS-së radhën për t’u djegur e ka pasur godina e bashkisë së Tiranës.

Protestuesit kanë hedhur molotov dhe shpërthyese në godinë, duke tejkaluar kordonin e policisë.

Sulmohet me lëndë plasëse selia e PS-së, merr flakë godina

Protestuesit e opozitës, pas goditjes me molotov të Kryeministrisë, u zhvendosën drejt selisë së Partisë Socialiste.

Gjatë zhvendosjes së tyre, ata i vunë flakën një stacioni autobusi dhe disa kazanëve të plehrave.

Ashtu sikurse edhe Kryeministria, selia e PS u bë target i goditjeve masive me lëndë piroteknike dhe molotov.

Në ambientet e jashtme të selisë rozë pati përplasje dhe incidente mes uniformave blu që kishin krijuar një kordon sigurie dhe mbështetësve të Partisë Demokratike.

Protestuesit e PD hyjnë në mes të makinave te “Myslym Shyri”, paralizohet trafiku

Protesta e PD që po mbahet prej më shumë se 1 ore në Tiranë është shpërndarë në disa zona të kryeqytetit.

Protesta nisi me tensione të forta para Kryeministrisë ku deputetë të PD dhe protestues u përplasën dhunshëm më kordonin e policisë dhe hodhën molotov e fishekzjarrë në drejtim të tyre.

Më tej një pjesë e protestuesve të udhëhequr nga deputetët e PD, Gazment Bardhi, Flamur Noka e të tjerë kanë marshuar në rrugën Myslym Shyri, një rrugë ku nuk ishte bllokuar qarkullimi i automjeteve nga ana e policisë, duke shkaktuar kaos në trafik.

Drejtuesve të mjeteve u është bërë thirrje nga ana e policisë që të mos dalin nga automjetet dhe të mos përballen me protestuesit, në mënyrë që të shmangen konfrontimet e mundshme me ta.

Rreth 1500 forca të policisë janë angazhuar për mbarëvajtjen e protestës së opozitës.

Protesta vjen si një reagim ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, e cila ka rritur tensionet politike pas dënimit të deputetit Ervin Salianji me një vit burg nga Gjykata e Apelit.

Pas molotovëve dhe përplasjeve, protestuesit lënë Kryeministrinë/ Nisin marshimin drejt një institucioni tjetër

Pas hedhjes së molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin.

Nuk dihet nëse ata do të vendosen para Bashkisë së Tiranës, Kuvendit apo Ministrisë së Brendshme.

Së bashku me ta kanë nisur zhvendosjen edhe policia.

Protestuesit përplasen me policinë, qëllohet me molotov: Shpërthime të shumta

Ka nisur përplasja e protestuesve me policinë. Deputetët e Partisë Demokratike  dhe qytetarët janë përplasur me efektivët e vendosur rreth perimetrit të sigurisë së Kryeministrisë.

Ndërkohë që ka filluar hedhja e bombave molotov në drejtim të kryeministrisë dhe efektivëve të Policisë së Shtetit.

Nis protesta e opozitës

Opozita ka nisur protestën e saj kombëtare të thirrur pas arrestimit dhe burgosjes së ish-deputetit demokrat, Ervin Salianji.

Deputetët e PD-së kanë dalë nga selia dhe janë bashkuar me protestuesit për të nisur marshimin.

Sheshit i del tymit, çfarë po ndodh te Presidenca?

Teksa pritet që ytë nisë protesta e thirrur nga opozita, në sheshin te Presidenca një re tymi ka pushtuar zonën pak metra larg Kryeministrisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat