Protesta e PD që po mbahet prej më shumë se 1 ore në Tiranë është shpërndarë në disa zona të kryeqytetit.
Protesta nisi me tensione të forta para Kryeministrisë ku deputetë të PD dhe protestues u përplasën dhunshëm më kordonin e policisë dhe hodhën molotov e fishekzjarrë në drejtim të tyre.
Më tej një pjesë e protestuesve të udhëhequr nga deputetët e PD, Gazment Bardhi, Flamur Noka e të tjerë kanë marshuar në rrugën Myslym Shyri, një rrugë ku nuk ishte bllokuar qarkullimi i automjeteve nga ana e policisë, duke shkaktuar kaos në trafik.
Drejtuesve të mjeteve u është bërë thirrje nga ana e policisë që të mos dalin nga automjetet dhe të mos përballen me protestuesit, në mënyrë që të shmangen konfrontimet e mundshme me ta.
Rreth 1500 forca të policisë janë angazhuar për mbarëvajtjen e protestës së opozitës.
Protesta vjen si një reagim ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, e cila ka rritur tensionet politike pas dënimit të deputetit Ervin Salianji me një vit burg nga Gjykata e Apelit.