“Sa më shumë kalojnë ditët nga ikja jote, dhimbja duket se rritet”- Edlira Çepani prek me fjalët për Gert Bogdanin

Shqipëria

“Sa më shumë kalojnë ditët nga ikja jote, dhimbja duket se rritet”- Edlira Çepani prek me fjalët për Gert Bogdanin

Më: 11 tetor 2024 Në ora: 11:32
Edlira dhe Gerti

Aktivistja Edlira Çepani ka prekur me fjalët për bashkëshortin e saj të ndjerë, i cili u nda papritur nga jeta në moshën 44-vjeçare.

Postimi i plotë:

Kam nisur qindra herë të shkruaj dy fjalë… por s’kam patur forcë as në duar e as në zemër.

Prej kaq shumë ditësh, kam në zemër një fjalë që dua t’ua them të gjithëve – FALEMINDERIT për mbështetje të pakufijshme në këto kohë të vështira për familjen tonë!

Faleminderit për mijëra përqafimet me të cilat shprehet mbështetje dhe respekt për Gertin, gjatë homazheve të pafundme në Parlamentin Shqiptar. Faleminderit të gjithë miqve, kolegëve, qytetarëve dhe mbështetësve që erdhët në kohë rekord nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe nga shumë vende të botës, për të na mbështetur në ditën tonë më të vështirë. Faleminderit që pritët me orë të tera në radhët e gjata të homazheve për ta respektuar Gertin tonë dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Faleminderit nga zemra të gjithë kolegëve nga institucionet në Shqipëri, Kosovë, Belgjikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për nderimet me një minutë heshtje në mbledhjet e para pas ndarjes nga jeta të Gertit dhe për telegramet zyrtare për nderimin e tij.

Faleminderit të gjithë miqve të mediave për emisionet, fjalët dhe transmetimet maratonë.

Faleminderit të gjithëve për dhjetëra mijëra mesazhet (të cilave premtoj se do t’u kthej përgjigje të gjitha, pak nga pak) përmes të cilave ndatë pak nga dhimbja jonë dhe na përcollët histori të vogla të jetës së Gertit, në mënyrën si e kishit njohur. Sa më shumë njerëz takojmë këto ditë, aq më shumë kuptojmë se sa shumë njerëz ka impaktuar në jetën e tij tejet të shkurtër, por të mbushur me dashuri për njerëzit dhe me modesti për gjithçka bënte (dhe s’e promovonte kurrë mjaftueshëm).

Sa më shumë kalojnë ditët nga ikja jote, Gert, dhimbja duket se rritet në këtë realitet të ri, pa ty fizikisht mes nesh… por dashuria dhe mbështetja e pafund njerëzve që të kanë dashur ty, është një mbështetje e madhe për ne!

Ti e jetove jetën me fuqinë e vlerave. Luftove gjithë jetën për të dhënë një model ndryshe, mes miqve, në familje, kudo. Ti luftove gjithë jetën me një këmbëngulje të rrallë për ta bërë punën tënde në shërbim të njerëzve. Luftove gjithë jetën për të treguar se vlerat duhet të mbizotërojnë edhe atëherë kur duket e pamundur. TI E FITOVE BETEJEN TËNDE! Miresia jote dhe vlerat e tua i bashkuan njerëzit!

Ti fitove, ashtu siç bëje gjithmonë në jetë, dhe kësaj rradhe na e kujtove të gjithëve se, edhe në këtë botë që po bëhet çdo ditë e më e vështirë, ia vlen të jetosh me vlera, me integritet, me dinjitet, me fisnikëri, me besim, me mirësjellje dhe me dashuri për njerëzit! Faleminderit që ishe një dritë në rrugën e kaq shumë njerëzve dhe që do jesh gjithmonë një dritë në rrugën tonë, jeta ime!

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat