Vakaj: Kufizimet në euro? Do ta zhvlerësonin më shumë

Shqipëria

Vakaj: Kufizimet në euro? Do ta zhvlerësonin më shumë

Më: 11 tetor 2024 Në ora: 15:36
Dritan Vakaj

Transaksionet në monedhën europiane kanë shënuar shifra rekord gjatë këtij viti duke konfirmuar sasinë e lartë të eurove që janë në qarkullim në vendin tonë. Në periudhën janar-shtator janë kryer 234 mijë transaksione me vlerë 3.7 miliardë euro.

Drejtori i Shoqatës së Zyrave të këmbimit valutor, Dritan Vakaj, në një intervistë për “Money Report”, deklaroi se një ndër faktorët që ka ndikuar është edhe turizmi.

“Turizmi është element i rëndësishëm që vazhdon të mbetet një ndër kontributorët kryesorë si në volumin e euros dhe kryerjen e transaksioneve. Dhe padiskutim euro mbetet monedha e dytë kryesore, për të mos thënë se konkurron në vlerë dhe sasi monedhën shqiptare.”, u shpreh ai.

Duke folur për ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë në kursin e këmbimit, ai tha se ndërhyrjet janë të nevojshme. Megjithatë, ai shtoi se kufizimet në euro do ta dobësonin më shumë atë.

“Padiskutim efektet sezonale kanë filluar të amortizohen. Luhatjet janë ulur ndjeshëm në raport me vitet e kaluara, por është e pritshme që roli i BSH të mbetet i rëndësishëm pavarësisht se nuk është ajo në fokusin kryesor të vetë bankës, por është e detyruar të ndërhyjë. Kemi arritur deri aty se është e vështirë të kemi recetë perfekte për situatën. Deklarata e fundit e BSH që me ministrinë e Financave po tentojnë të vendosin disa kufizime në euro, por kjo do ta bënte euron më pak të pëlqyeshme dhe në vend që ta forcojë, do ta zhvlerësojmë më tej. Jemi në një situatë delikate, ndoshta është kombinim i elementëve dhe neglizhencës ndër vite duke mos e vlerësuar situatën siç duhet”, shtoi eksperti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat