Avokati Idajet Beqiri paralajmëron kallëzim të ri në SPAK për ngjarjen e 21 janarit 2011

Shqipëria

Avokati Idajet Beqiri paralajmëron kallëzim të ri në SPAK për ngjarjen e 21 janarit 2011

Më: 11 tetor 2024 Në ora: 18:23
Avokati Idajet Beqiri

Avokati Idajet Beqiri, i ftuar në një emision televiziv, njoftoi se një tjetër kallëzim do të dorëzohet në dyert e SPAK për ngjarjen e 21 janarit 2011. Ai tha se në atë ditë ishte planifikuar edhe vrasja e një protestuesi tjetër, Sokrat Godo, ish-oficer i Policisë Gjyqësore nga Berati.

Sipas Beqirit, Godo është qëlluar në zemër gjatë protestës, por ka arritur të shpëtojë. Avokati theksoi se kanë përgatitur kallëzimin që do të dorëzohet në Prokurorinë e Posaçme, e cila tashmë ka nisur hetimet për 21 janarin, ngjarje në të cilën mbetën të vrarë katër protestues nga plumbat e shtetit. Beqiri, avokati mbrojtës i familjes Nika, zbuloi se Godo kërkon që SPAK të marrë në konsideratë edhe këtë tentativë vrasje.

Beqiri përmendi se kreu i SHIK-ut të Beratit ishte vëllai i ish-komandantit të Gardës Ndrea Prendi. Ai pretendoi se kreu i SHIK-ut informoi Prendin për ardhjen e Godos në protestë, duke e shënjestruar atë për vrasje. “Godo ka qenë oficer i Policisë Gjyqësore dhe njihej si veprimtar i PS në atë kohë. Ndërsa ishte duke udhëtuar nga Berati për në protestë, kreu i SHIK-ut e njoftoi vëllanë e tij, duke e quajtur ekstremist. Ai u qëllua me snajper në zemër, ndonëse kishte një shishe uji në dorë, të cilën ia dha një protestuesi që po i binte të fikët. Ai kërkon që SPAK të prononcohet për këtë, duke pasur të gjitha raportet mjekësore dhe shenjën e plumbit. Do të bëjë gjithashtu një kallëzim penal”, deklaroi Beqiri.

Sa i përket audiokasetës që SPAK ka si provë, Beqiri theksoi se ajo vërteton se urdhri për vrasjen e protestuesve është dhënë nga kryeministri i atëhershëm, Sali Berisha, dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. “Kjo është një provë e fuqishme që vërteton, duke vënë vulën mbi 99 provat e tjera, se urdhri është dhënë nga kryeministri i kohës dhe ministri i Brendshëm që ishte në zyrën e tij në atë moment. Audio përgjimi është një provë e rëndësishme, e marrë nga një kanal radio”, përfundoi Beqiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat