Ligjin i ri i arsimit të lartë, Berisha: Goditje fatale! Pedagogë dhe studentë, mbroni lirinë akademike!

Shqipëria

Ligjin i ri i arsimit të lartë, Berisha: Goditje fatale! Pedagogë dhe studentë, mbroni lirinë akademike!

Më: 13 tetor 2024 Në ora: 19:07
Foto ilustrim

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një fjalim të mbajtur në protestën te ‘Rruga e Shpresës’, ka folur për ligjin mbi arsimit të lartë në Shqipëri, ku tha se është një goditje fatale për arsimin.

Sipas Berishës, në 9 vite numrin e studentëve është përgjysmuar në shkollat e larta të vendit dhe janë dyfishuar tarifat.

Kreu i PD-së kritikoi ligjin e ri për shkeljen e parimeve kushtetuese dhe përqendrimin e pushtetit akademik në duart e qeverisë, dhe u bëri thirrje pedagogëve dhe studentëve të mbrojnë lirinë akademike, të cilën e konsideron si bazën e funksionimit të universiteteve.

Ndër të tjera, Berisha i premtoi studentëve dhe pedagogëve se tarifat e universiteteve do të përgjysmohen dhe bursat nuk do të jenë më nën 200 euro.

“I garantoj studentët se në një akt të parë, tarifat e tyre do të përgjysmohen. Se në një akt të parë, nuk do ketë bursë në universitet nën minimumin jetik 200 euro. Garantoj pedagogët se në rast se sot, diferenca e buxhetit për shkencën është 8 herë më e ulët se në Serbi, se në Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë, ajo do jetë një më një me këto vende dhe do të ecë drejt shifrave të BE-së”, tha ai.

Pjesë nga fjala e Berishës

Miqtë e mi, kjo garë, gara e dijes është gara më vendimtare për të ardhmen e një kombi dhe të një vendi. Në këtë garë, Edi Rama iu ka dhënë goditje fatale arsimit parauniversitar, shpartallimi i të cilit ka sjellë rënien më të madhe në botë në testin e cilësisë, në PISA, rënien me 68 pikë.

Goditje të rëndë, nga më të rëndat, i dha arsimit të lartë, duke përgjysmuar në 9 vite numrin e studentëve në shkollat e larta të vendit dhe dyfishuar tarifat. Tani, me ligjin e ri, duke shkelur parimet themelore të Kushtetutës së vendit, ai po u jep universiteteve goditjen e mëshirës.

Sapo erdhi në pushtet, ky armik i egër i dijes dhe qenies shqiptare, ndaloi mbrojtjen e gradave në universitetet publike, akt të cilin nuk e ka bërë kurrë ndonjë qeveri. Dhe tani së fundmi, ka vendosur të shpallë veten kryeshkencëtarin e Shqipërisë, kryetarin e Këshillit Shkencor Kombëtar, në një akt që nuk e bëri kurrë Enver Hoxha, as Mehmet Shehu.

Nuk e bëri kurrë as Kim Jong Sun, as Kim Jong Un. E bën pra vetëm Edi Rama. Universitetet pa lirinë akademike, pa lirinë e kërkimit shkencor, humbasin tërësisht funksionin e tyre si institucione të vendit, shndërrohen thjesht në shkolla të larta, automate, të cilat në ingranazhet e kohës shkojnë drejt shkatërrimit.

T’i privosh universitetet nga liria e kërkimit shkencor, në një kohë kur ke prekur pothuajse të gjitha fondet, të centralizosh atë në duart e një këshilli xhahilësh, injorantësh, hajdutësh, do të thotë të rrënosh kërkimin shkencor, do të thotë të vrasësh ëndrrat shkencore të mijëra e mijëra studiuesve të rinj, të cilët shohin kërkimin shkencor si rrugën më fisnike për të ndërtuar karrierën e tyre të suksesshme. Si rrugën më dinjitoze për të ngjitur shkallët e dijes dhe shkencës.

Unë u bëj thirrje sonte të gjithë pedagogëve të universiteteve, pavarësisht nga bindjet e tyre, të mbroni lirinë akademike sepse liria akademike është liria e vërtetë e juaj.

Sepse pa liri akademike, ju shndërroheni në qenie mjerane automate, në zanatçi të pavlerë për veten dhe vendin tuaj.

Unë u bëj thirrje studentëve që të mbrojnë lirinë akademike të universiteteve, se historia e botës ka faktuar se universitetet i ka bërë të mëdha liria akademike. Se universitetet janë shndërruar në trungje të thata sa herë kanë dorëzuar këtë liri. Është koha pra për të gjithë ju studentë dhe pedagogë të shqyrtoni propozimi që ka bërë Edi Rama, në të cilin ju shumëzon me zero.

Në të cilin ju të gjithë së bashku keni zë aq sa ç’ka Lubi Balluku me dy asistentë të saj.

Mbroni universitetet u bëjmë thirrje, u dilni zot vendit tuaj me universitetet, sepse ligji i ri, që është në kundërshtimin më flagrant me Kushtetutën e vendit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, de facto i varros ato si institucione të kërkimit shkencor.

I përthan, i shndërron në shkolla pa vlerë. I shndërron në shkolla të regjimit që nuk i duhen asgjë kombit të vet dhe popullit të vet. Ndaj dhe thirrja ime, të angazhoheni në një betejë shpëtimtare për studentët.

I garantoj studentët se në një akt të parë, tarifat e tyre do të përgjysmohen. Se në një akt të parë, nuk do ketë bursë në universitet nën minimumin jetik 200 euro. Garantoj pedagogët se në rast se sot, diferenca e buxhetit për shkencën është 8 herë më e ulët se në Serbi, se në Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë, ajo do jetë një më një me këto vende dhe do të ecë drejt shifrave të BE-së.

Ndaj dhe të bashkohemi në këtë betejë. Është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë. Fitore, fitore, fitore!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat