Artan Hoxha publikon tjetër përgjim për “21 Janarin”, ja çfarë komunikuan drejtuesit e Gardës 4 minuta para vrasjeve

Shqipëria

Artan Hoxha publikon tjetër përgjim për “21 Janarin”, ja çfarë komunikuan drejtuesit e Gardës 4 minuta para vrasjeve

Më: 14 tetor 2024 Në ora: 08:45
Artan Hoxha

Publikohen të tjera përgjime nga komunikimi mes gardistëve më 21 janar 2011, kur u vranë 4 protestues në protestën e opozitës së asaj kohe. Pak ditë më parë gazetari Artan Hoxha dorëzoi në SPAK kasetën, ku bëhet fjalë për mbi 30 minuta komunikime që dëshmojnë se si vrasjet ishin me urdhër nga lart. Një pjesë e përgjimeve kanë dalë, ndërsa këtë fundjavë në një media gazetari Hoxha ka publikuar komunikimet para se të ndodhë hapja e zjarrit. Aty dëgjohet ish-kreu i Gardës Ndrea Prendi, i cili kërkon që fillimisht të qëllohet në ajër.

Vetë Hoxha, u shpreh se komunikimi mes pjesëtarëve të gardës është kryer përmes një kanali të veçantë komunikimi, ndërsa tregoi se ky material është pjesë e materialit të plotë të dorëzuar në SPAK. “Deri tani ka dalë vetëm një audio 40-50 sekonda. Është pjesa e urdhrave për vrasjet. Materiali i ri që del sot është para vrasjeve. Është pjesë e materialit të dorëzuar në SPAK. Pjesëtarët e gardës komunikojnë përmes një kanali të veçantë. Tregohet pikërisht momenti kur nisin të gjuajnë në ajër me fishekë manovër.

Kjo dëshmon se çdo gjë është bërë me urdhër. Në audio është Ndrea Prendi dhe Dashamir Shehu. Nuk kanë marrë vendime gardistët atë ditë. Nuk mund të thuhet sot se situata i ka dalë nga kontrolli. Ai i kërkon Dashamir Shehit që nëse kalohet gardhi protestuesit do asgjësohen. Janë të përgatitur për të bërë vrasjet. Vrasjet ishin në gjakftohtësi”, deklaroi Hoxha. Sipas tij, regjistrimi është 4 minuta para se të ndodhnin vrasjet. Ai tha se publikimi i audio-regjistrimit tregon se drejtuesit e Gardës e kanë pasur në kontroll situatën dhe gjithçka është bërë më urdhër të tyre, pra nuk ka ndodhur spontanisht.

Së dyti, tregon se ata kanë qenë shumë gjakftohtë, sepse urdhrat kanë ardhur në mënyrë graduale. Audiopërgjimi tregon se momenti i vrasjes është parapërgatitur. 4 minuta përpara është dhënë urdhër që do të asgjësohen nëse kalojnë gardhet. Viktimat janë jashtë rrethimit të kryeministrisë. Vrasjet kanë ndodhur kur intensiteti i protestës kishte rënë dhe në bulevard ndodheshin vetëm 20% e protestuesve të ardhur”, u shpreh Hoxha. Një vit më parë gazetari Hoxha ka publikuar për herë të parë materiale të reja që nuk janë zbardhur deri më tani dhe që tregojnë se ka pasur urdhër për të qëlluar direkt mbi trupat e protestuesve.

Atë kohë pas ngjarjes u bë shumë debat se serveri i kryeministrisë u fshi me urdhër të Berishës dhe më pas nuk u morr vesh kurrë se kush kishte urdhëruar për të vrarë katër protestuesit: Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj. Lidhur me misterin e këtyre përgjimeve që kujtoheshin të humbura njëherë e përgjithmonë, Hoxha deklaroi se regjistrimi ishte bërë nga një vend aleat, pasi të gjithë regjistrimet e bëra nga autoritetet vendase, janë fshirë. Zbulimi i këtyre përgjimeve ka rëndësi se ai rrëzon përfundimisht alibinë se vrasjet ishin rastësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat