Shqipëria me normat më të ulta të ferilitetit! Ky është qarku në mesin e 9 rajoneve në Europë me rënien më të madhe të lindjeve

Shqipëria

Shqipëria me normat më të ulta të ferilitetit! Ky është qarku në mesin e 9 rajoneve në Europë me rënien më të madhe të lindjeve

Më: 15 tetor 2024 Në ora: 11:08

Normat e lindshmërisë kanë rënë me shpejtësi vitet e fundit, duke e renditur Shqipërinë si një nga vendet më normat më të ulëta të fertilitetit në Europë.

Eurostat përllogariti se, Vlora është në mesin e 9 rajoneve të vogla (rang qarku, NUTS 3) në Europë me normën më të ulët të lindshmërisë për grua (numri i lindjeve për gratë në moshë riprodhimi) sipas të dhënave që i përkasin 2022.

Fertiliteti në Vlorë është më pak se 1 fëmijë për grua i shënjuar në hartën bashkëngjitur me ngjyrë të njëjte me 4 rajone të Spanjës veriperëndimore, tre rajone të ishullit të Sardenjës dhe një rajoni grek.

Siç shihet nga harta, Italia, Spanja dhe Polonia dhe Shqipëria dhe Greqia kanë nivele më të ulëta të lindshmërisë, ndërsa Franca është shteti Europian me normat më të larta të fertilitetit.

Të dhënat e brendshme të INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2022 norma e fertilitetit në rang kombëtar ra në 1.21 fëmijë për grua në moshë riprodhimi, nga 1.32 që ishte më 2021. Kjo është rënia më e fortë që nga viti 2015, por në qarqet e Vlorës dhe Korçës shkalla e fertilitetit ishit më pak se një fëmijë për grua në moshë riprodhimi.

Normat më të larta të Lindshmërisë janë qarqet e Kukësit, Dibrës dhe Lezhës.

Indeksi i fertilitetit është përkeqësuar shumë në rajonin e qendrës dhe Jugut dhe paraqitet pak më mirë në Veri të vendit (shiko hartën bashkëngjitur).

Edhe Tirana e cila ka një popullsi të re në moshë në rang kombëtar ka lindshmëri të ulët me më pak se 135 fëmijë për 100 gra në moshë riprodhimi.

Indeksi i fertilitetit është nën normën e zëvendësimit prej 2,1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk arrin të zëvendësojë veten.

Shtyrja e moshës për martesë, synimet për karrierë dhe në shumë raste pamundësitë ekonomike po bëjnë që gratë shqiptare të lindin gjithnjë e më pak fëmijë.

Normat e lindshmërisë kanë rënë në mënyrë të qëndrueshme në këto tre dekada, por në dy vitet fundit, janë përshpejtuar, duke sinjalizuar përkeqësim të fenomenit në vitet e ardhshme. Më 2023, në të gjithë vendin, kanë lindur vetëm 22,210 foshnja, niveli më i ulët që nga viti 1934 kur janë raportuar të dhënat zyrtare vjetore.

Të dhënat tregojnë se edhe në Luftën e Dytë Botërore, në Shqipëri kanë lindur më shumë se sa sot. P.sh., në vitin 1942 lindën mbi 36 mijë foshnja në një kohë kur numri i grave në moshë riprodhimi ishte më i ulët se sot.

Në vitin 1950, kur u vendos regjimi i diktaturës komuniste, lindën 47,291 foshnja, sipas të dhënave nga arkivat e INSTAT, teksa numri i grave në moshë riprodhimi (15-49 vjeç) ishte vetëm 259,472 mijë. Vitin e kaluar lindën pak më shumë se 22 mijë foshnja, teksa numri i grave në moshë riprodhimi ishte 647,884, ose tre herë më i lartë se në vitet 1950./Monitor

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat