Deputetët e përjashtuar opozitarë tentojnë të hyjnë me forcë në seancën e Kuvendit në Shqipëri

Shqipëria

Deputetët e përjashtuar opozitarë tentojnë të hyjnë me forcë në seancën e Kuvendit në Shqipëri

Më: 17 tetor 2024 Në ora: 11:37
Deputetë të opozitës përpiqen ta kalojnë me forcë gardhin metalik të vendosur para hyrjes së Kuvendit të Shqipërisë, 17 tetor.

Pjesëtarë të përjashtuar të opozitës janë përpjekur të futen me forcë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, i cili u mblodh të enjten në një seancë të rregullt plenare.

Garda e Republikës vendosi gardh metalik pranë hyrjes kryesore në ndërtesën Kuvendit, për ta parandaluar hyrjen e 24 deputetëve të opozitës, të cilët janë të përjashtuar përkohësisht nga pjesëmarrja në seancat e Kuvendit.

Kuvendi i nisi punimet me deputetët e shumicës, të cilët shkuan në sallë një orë para nisjes së seancës për të shmangur përplasjet e mundshme me deputetë opozitarë, dhe me një grup të vogël deputetësh opozitarë.

Por, seanca u ndërpre përkohësisht, pasi deputetja opozitare, Elda Hoti, hodhi një lëndë që ajo tha se ishte “aromatizues”. Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, kërkoi përjashtimin nga seanca të tre deputetëve të opozitës, pasi ata gjithashtu grumbulluan karrige para foltores për ta penguar punën.

Spiropali kërkoi të verifikohet se çfarë ishte lënda që hodhi deputetja Hoti në drejtim të deputetëve të shumicës, pasi tha se ka marrë ankesa nga deputetët së në sallë vjen erë benzinë, dhe se ka dyshime se ajo hodhi benzinë.

Deputetë të opozitës, që morën pjesë në seancë, thanë se janë penguar dhe pretenduan se janë sulmuar nga punonjës të gardës.

Ata tentuan ta djegin një banderolë ku shkruhej "Edi Rama Mafia" para Kuvendit, por nuk u lejuan nga punonjësit e sigurisë.

Më herët, kreu i grupit parlamentar të partisë kryesore opozitare, Partia Demokratike, Gazmend Bardhi, e quajti “akt të turpshëm” vendosjen e gardhit metalik përreth ndërtesës së kuvendit.

“Kuvendi nuk është burg dhe as qeli burgu, edhe pse shumica e përfaqësuesve të mazhorancës qeverisëse duhet të ishte në burg dhe jo në atë sallë. Shqipëria bëhet kështu vendi i vetëm që, nga njëra anë, është vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Evropian, dhe, nga ana tjetër, rrethon hyrjen kryesore të Kuvendit për ta mbrojtur nga deputetët 'armiq'", shkroi ai në rrjetet sociale.

Në kohët e fundit opozita në Shqipëri ka protestuar në mënyra të ndryshme për ta kërkuar largimin e partisë në pushtet të kryeministrit Edi Rama, Partia Socialiste, dhe zëvendësimin e saj me një qeveri teknike para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Deputetët – të cilët u përjashtuan më 2 tetor për një periudhë prej 10 deri në 60 ditë për shkak se dogjën ulëset e tyre në Kuvend – tentuan të hynin me forcë duke u përpjekur ta hiqnin gardhin metalik, por nuk u lejuan nga Garda.

Pranë ndërtesës së Kuvendit në gatishmëri janë edhe automjete të policisë dhe zjarrfikësve, për shkak të situatave të kaluara, kur janë djegur karrige dhe disa manekinë.

Më 30 shtator, deputetë të Partisë Demokratike nxorën jashtë sallës së Kuvendit karriget e tyre dhe u vunë zjarrin në shenjë proteste ndaj burgosjes së deputetit Ervin Salianji. Ai u dënua me një vit burgim për sajimin e një audio-përgjimi.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim dhe keqardhje për skenat që u panë më 30 shtator në Kuvendin e Shqipërisë dhe u bënë thirrje pushtetit dhe opozitës që të zhvillojnë dialog.

Javën e kaluar, opozita organizoi një protestë kundër burgosjes së Salianji, gjatë të cilës u hodhën mjete shpërthyese në drejtim të Kryeministrisë dhe disa objekteve tjera.

Dhjetë zyrtarë policorë u lënduan si pasojë e hedhjes së molotovit, lëndëve piroteknike dhe sendeve tjera të forta.

Policia ka iniciuar kallëzim penal për tre drejtues të Partisë Demokratike në lidhje me këtë protestë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat