I duheshin para për blerjen e dy trojeve të kushtueshme, si Klajdi Merkaj nisi pastrimin e parave të Franc Çopjas!

Shqipëria

I duheshin para për blerjen e dy trojeve të kushtueshme, si Klajdi Merkaj nisi pastrimin e parave të Franc Çopjas!

Më: 17 tetor 2024 Në ora: 11:53
Foto ilustrim

Klajdi Merkaj, 35-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar pas akuzohet se pastronte paratë e bandës “Çopja”, u arrestua të mërkurën (16 Tetor) në Romë me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë. 

Bisedat mes Klajdi Merkajt dhe Franc Çopjes përmes aplikacionit Sky ECC janë pjesë dosje voluminoze të SPAK për organizatën kriminale “Çopja”, e akuzuar për një seri vrasjesh me pagesë.

Por, si i pastronte Klajdi Merkaj paratë e vëllezërve Franc e Hajdar Çopja? Në një artikull, BIRN ka shpjeguar mekanizmin duke zbuluar se Klajdi Merkaj po kërkonte financime për të zgjeruar biznesin e ndërtimit në kryqytet dhe synonte që përmes kompanisë së tij të ndërtonte një kompleks vilash në zonën e Lundrës.

35-vjeçari po negocionte për blerjen e dy trojeve të kushtueshme në Tiranë dhe u drejtua për ndihmë Franc Çopjes për të siguruar shumën e madhe të parave që i duhej.

Artikulli i plotë i BIRN:

Në shtator të vitit 2020, Klajdi Merkaj po planifikonte një udhëtim në Dubai për të siguruar financime të bollshme për zgjerimin e biznesit të tij të ndërtimit në Tiranë.

Asokohe vetëm 31 vjeç, Merkaj po ndërtonte përmes kompanisë së themeluar prej tij një kompleks vilash luksoze në Lundër – zonën e pasur të periferisë që rrethon kryeqytetin shqiptar, por ambiciet e tij ishin më të mëdha.

Ndërsa po negocionte për blerjen e dy trojeve të kushtueshme në Tiranë, Merkaj kuptoi se kishte nevojë për më shumë para. Ai iu drejtua për ndihmë Franc Çopjes, një bosi shqiptar të trafikut ndërkombëtar të kokainës, i njohur ndryshe edhe si Franc Gergely.

Merkaj akuzohet se komunikonte me Çopjen përmes aplikacionit Sky ECC dhe e kishte informuar më parë atë për planet e tij të biznesit.

“Për të dy vendet jemi konsumuar lart për t’u realizu. Kemi marrë ok,” e informoi ai Çopjen, ndërsa i kërkoi një kapital prej 1.5 milionë eurosh në cash.

Komunikimet përmes aplikacionit Sky ECC mes Klajdi Merkajt dhe Franc Çopjes janë pjesë e një vendimi voluminoz të Gjykatës së Posaçme për masë sigurie ndaj organizatës kriminale “Çopja”, e akuzuar për një seri vrasjesh me pagesë, trafikimin ndërkombëtar të sasive të mëdha të kokainës si dhe pastrimin e parave me burime kriminale.

Përveç konflikteve të përgjakshme, këto komunikime ekspozojnë gjithashtu disa shembuj të kufizuar të një fenomeni që besohet se është shumë herë më i përhapur mbi pastrimin e parave të narkotrafikut në kullat dhe komplekset e ndërtimit në Tiranë.

Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe njihet si “parajsë penale” për një sërë figurash të krimit të organizuar shqiptar, të cilët u fshehën atje për t’u shpëtuar arrestimeve apo atentateve nga grupet rivale.

Franc Çopja besohet se qëndroi në Dubai nga viti 2020 deri në dhjetor 2023, kur u ekstradua në Belgjikë si urdhërues i një vrasjeje për “prishjen e pazareve të drogës”.

Hetuesit besojnë se ai dirigjoi nga Dubai një ushtri me njerëz për të pastruar paratë e tij në Shqipëri si dhe negocioi marrëveshje biznesi që e bënin atë një investitor të fshehtë në projektet e ndërtimit në Tiranë.

Gjatë vitit 2020, kohë së cilës i përkasin bisedat e zhvilluara në SKY ECC, Çopja dokumentohet të ketë sjellë në Shqipëri të paktën 7.5 milionë euro të thata, të cilat u investuan në ndërtimin e një pallati pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në blerjen e apartamenteve të shtrenjta në disa prej kullave të Tiranës si dhe dy vilave në kompleksin “Mandarine Drive” pas qendrës tregtare TEG, e ndërtuar nga kompania e themeluar nga Merkaj.

Një sasi më e madhe prej 15.4 milionë eurosh dyshohet që të jetë investuar një vit më vonë në blerjen e lingotave të arit nga Çopja.

Sipas Europol, agjencisë ligjzbatuese të Bashkimit Europian që koordinoi operacionin e goditjes së grupit Çopja në fund të korrikut, kjo organizatë përdorte transaksione komplekse për të pastruar paratë e gjeneruara nga aktivitetet e paligjshme.

“Mes të arrestuarve është edhe një pastrues parash me qendër në Tiranë, i cili u ofronte shërbimet e tij disa grupeve të tjera kriminale të nivelit të lartë, të angazhuar në nivel ndërkombëtar në vrasje, korrupsion dhe trafik droge në shkallë të gjerë,” deklaroi Interpoli.

I kontaktuar nga BIRN, vëllai i tij  Endri Merkaj, i cili zotëron kompaninë e ndërtimit, nuk iu përgjigj një kërkese për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat