Greqia skeptike për marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët, Mitsotakis: Nuk e di nëse ky model mund të shtrihet në të gjithë BE-në

Shqipëria

Greqia skeptike për marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët, Mitsotakis: Nuk e di nëse ky model mund të shtrihet në të gjithë BE-në

Më: 17 tetor 2024 Në ora: 17:32
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis është shprehur skeptik sa i takon marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët.

Në një intervistë për Financial Times të enjten, Kyriakos Mitsotakis nuk ishte i bindur që modeli Shqipëri-Itali të shtrihet në të gjithë Bashkimin Evropian.

“Dua të jem i kujdesshëm. Kjo është një marrëveshje dypalëshe. Nuk e di nëse mund të përsëritet në nivel evropian”, tha ai. “Ne gjithashtu duhet të shohim nëse funksionon vërtet”.

Ai vazhdoi duke thënë: “Këta persona po trajtohen sipas ligjit italian të azilit dhe çfarëdo që të ndodhë me ta, në një mënyrë apo tjetër ata do të kthehen në Itali. Nëse do ta bënim këtë në nivel evropian…ku do të shkonin?’

Ai i bëri thirrje BE-së të rrisë imigracionin e ligjshëm krahas përpjekjeve për të frenuar hyrjen e parregullt, pasi ka nevojë për punëtorë të kualifikuar dhe të pakualifikuar në ekonominë evropiane.

“Nëse do të ndërtosh një gardh të madh, duhet edhe një derë e madhe”, tha Mitsotakis, duke theksuar mungesën e fuqisë punëtore në Greqi. “Kush do të na mbledhë ullinjtë? Ne jemi një kontinent në tkurrje dhe të gjithë e kuptojmë se për të ruajtur produktivitetin tonë, do të kemi nevojë për një fuqi punëtore, të pakualifikuar ose të kualifikuar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat