Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka komentuar ngjarjet e fundit, ku deputetët e Partisë Demokratike u përplasën me policinë. Ai shpjegoi se për ndërhyrjen në këto situata, forcat e policisë kërkojnë autorizim nga një titullar, i cili i jep kompetencat Gardës, pasi ai perimetër është ekskluzivitet i saj.
“Komandanti i Gardës ka qenë me ligjin dhe të drejtën në këtë rast. Forcat e policisë i thërret një titullar dhe i autorizon Garda sepse është ekskluzivitet i Gardës ai perimetër. Deri tani nuk dihet kush i ka thirrur,” tha Karamuço.
Ai theksoi se punonjësi i policisë në këtë rast nuk kishte armë, duke shpjeguar se “këndi i bërrylit që çon dorën aty ku e ka çuar, e çon mbi jelekun taktik, poshtë sqetullës dhe aty disa prej forcave të ndërhyrjes së shpejtë, mbajnë bombula neuroparalizuese.”
“E kam parë me rezolucion të lartë, mesi i dorës ka një send të rrumbullakët që është fillimi i bombulës së gazit. Nuk ka pasur armë. Edhe këllëfi që e kanë bosh është pjesë e brezit kolektiv. Por që i kanë bosh, sidomos FNSH, e ka me rregullore dhe ligj. Nuk iu lejohet që të mbajnë armë,” përfundoi Karamuço.