Negociatat, Pirdeni: Duhet të dëshmojmë se Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme

Shqipëria

Negociatat, Pirdeni: Duhet të dëshmojmë se Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme

Më: 19 tetor 2024 Në ora: 12:09
Adea Pirdeni

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni deklaroi sot se Shqipëria duhet të dëshmojë se Reforma në Drejtësi është një proces i pakthyeshëm.

Gjatë podkastit “Flasim”me kryeministrin Edi Rama, ministrja Pirdeni nënvizoi rëndësinë e kapitullit të shtetit të së drejtës dhe gjyqësorit, në negociatat me BE-në. Sipas saj, ky është kapitulli ku edhe vendet e tjera të rajonit kanë hasur vështirësi vitet e fundit.

“Dua të nënvizoj peshën specifike që mbartin institucionet ligjzbatuese, prokuroria e gjyqësori që kanë qenë bashkë me ne në procesin e negociatave. Kanë qenë ata që kanë shpjeguar se si funksionon ky sistem në praktikë, se si këto struktura të ngritura janë funksionale dhe për të krijuar bindjen se Shqipëria është në një stad të avancuar të Reformës në Drejtësi”, tha Pirdeni.

Natyrisht, sipas saj, “si çdo përvojë e re edhe kjo ka nevojë për përmirësim dhe Shqipëria duhet të dëshmojë se ky proces është i pakthyeshëm”.

“Një nga problemet kryesore në disa vende të BE-së është kthimi mbrapsht në fushën e shtetit të së drejtës. Natyrisht lupa e Komisionit është shumë më rigoroze ndaj nesh që jemi jashtë BE-së për të parë nëse po ecim në drejtimin e duhur. Nga ana tjetër lufta kundër korrupsionit nuk i përket vetëm gjyqësorit, por edhe mekanizmave që kanë të bëjnë me një sistem funksional të prokurimeve publike, apo me “muret tona të brendshme” në luftën kundër korrupsionit”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat