Gruaja që sfidon me buzëqeshje sëmundjen/ Naxhie Koçllari nga Maliqi, prej 4 vitesh përballet me kancerin e gjirit

Shqipëria

Gruaja që sfidon me buzëqeshje sëmundjen/ Naxhie Koçllari nga Maliqi, prej 4 vitesh përballet me kancerin e gjirit

Më: 20 tetor 2024 Në ora: 14:01
Naxhie Koçllari

“Mendova fëmijët, motrat, vëllezërit”. Ishte kjo ndjesia e parë që përjetoi, ku kuptoi se diçka serioze nuk po shkonte me shëndetin. Buzëqeshjen nuk e largon asnjë moment, por prej 4 vitesh Naxhie Koçllari përballet me betejën më të vështirë të jetës së saj.

61-vjeçarja nga Maliqi, është diagnostikuar me kancer gjiri. Momentin kur zbuloi sëmundjen nuk e harron asnjëherë.

“Pashë që më doli një gungë dhe të nesërmen ika menjëherë në spital”

Naxhia e zbuloi kancerin e gjirit në faza të hershme dhe kur mendoi se këtë beteje e kishte fituar përfundimisht, sëmundja e pabesë iu shfaq sërish.

“Bëra ndërhyrje kirurgjikale, më hoqën gjoksin. Pas 1 viti m’u ripërsërit, më doli në mëlçi, pastaj në qafë. Shumë e vështirë, luftë me jetën”

61-vjeçarja udhëton nga Maliqi në Tiranë për të marrë shërbimin mjekësor pranë spitalit Onkologjik në qendrën spitalore Nënë Tereza. Rruga e gjatë dhe kimioterapitë, thotë se e lodhin, por forcën di se ku ta gjeje.

“Dashuria për fëmijët. Mendoj ata dhe bëhem e fortë. Kam shume mbështetje nga 4 vajzat. Kam edhe një vëlla që punon te Infektivi edhe ai shume, kur shoh atë sikur më shëron”

Pas 4 vitesh përballje me kancerin e gjirit, për gratë dhe vajzat ka këtë mesazh.

“Të bëjnë kontrolle dhe të mos e lenë pas dore shëndetin. Jo të bien pas punës dhe rutinës që kanë”.

Në çdo ditë të betejës së saj, pranë i kanë qëndruar fëmijët dhe bashkëshorti, i cili e shoqëron për të marrë trajtimet mjekësore, ndërsa siç e quan ai bën çdo sakrificë për shoqen e jetës për ta pasur pranë sa më gjatë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat