Kampet e emigrantëve në Shqipëri, Qeveria Meloni miraton ndryshimet. Ja rregullat e reja

Shqipëria

Kampet e emigrantëve në Shqipëri, Qeveria Meloni miraton ndryshimet. Ja rregullat e reja

Më: 21 tetor 2024 Në ora: 21:17

Qeveria italiane ka miratuar ndryshimet ligjore përsa i takon dëbimit të emigrantëve nga të ashtuquajturat “vendet e sigurta”.

Qëllimi i ndryshimeve ka të bëjë me shmangien e referimit të vendimit të Gjykatës së BE-së, të cilës iu referuar Gjykata e Romës, në rastin e emigrantëve të akomoduar në kampin e Gjadrit.

 

Qeveria në Itali miratoi ditën e sotme ndryshimet e reja ligjore për emigrantët dhe vendet e sigurta. Rregullat e reja për të kapërcyer jo-në e gjyqësorit për riatdhesimin e menjëhershëm të emigrantëve u miratuan brenda pak minutash.

 

Këshilli i Ministrave miratoi një dekret ligjor që tregon se në cilat vende do të kryhen riatdhesimet e menjëhershme: një formulë “primare” e cila është më e fortë nga pikëpamja legjislative sesa dekreti i thjeshtë i Ministrisë të Punëve të Jashtme në fuqi deri më sot.

Dispozita e re konfirmon në masë të madhe listën me 22 shtete të konsideruara të sigurta nga qeveria italiane, duke u përpjekur të “bllokojë” me një ligj më të fuqishëm mundësinë e dëbimit të menjëhershëm për ata që vijnë nga një nga vendet e listës së përpiluar sot.

Në ndryshimet e sotme, Qeveria vendosi të ulë numrin e vendeve të sigurta nga 22 në 19, pasi përjashtoi Kamerunin, Kolumbinë dhe Nigerinë.

Mbetet për t’u parë nëse gjykatat – të cilat në 95% të rasteve nuk kishin konfirmuar ndalimin e emigrantëve – do të ndryshojnë qëndrim pas ndryshimeve ligjore të bëra nga qeveria Meloni.

Pengesa, në fakt, u vendos nga vendimi i Gjykatës së BE-së i datës 4 tetor, i cili nuk përfshinte shumicën e 22 vendeve në mesin e atyre që janë në gjendje të mbrojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve.

Gjyqtarët evropianë kishin specifikuar se një vend nuk mund të jetë i sigurt nëse një pjesë e territorit të tij nuk garanton mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve, pa përjashtuar asnjë kategori.

Prandaj përjashtimi i Kolumbisë, Nigerisë dhe Kamerunit, vende të cilat nuk e plotësojnë këto kritere do t’i hapë rrugë vazhdimit të marrëveshjes Rama-Meloni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat