Basha takohet me Lord Richard Keen në Britani: Ja cilat ishin temat në qendër të bisedimit

Shqipëria

Basha takohet me Lord Richard Keen në Britani: Ja cilat ishin temat në qendër të bisedimit

Më: 24 tetor 2024 Në ora: 11:21
Lulzim Basha takohet me Lord Richard Keen

Basha takohet me Lord Richard Keen në Britani: Lufta kundër korrupsionit, ndarja e politikës nga krimi dhe anëtarësimi i Kosovës në KiE ishin në qendër të diskutimit

Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me Lord Richard Keen, anëtar i Partisë Konservatore britanike dhe Ministër i Drejtësisë në hije, ku diskutuan për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, ndikimin e krimit të organizuar në proceset zgjedhore dhe përparësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Basha theksoi se pavarësisht përpjekjeve të SPAK dhe GJKKO për të hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin, progresi nuk do të jetë i mjaftueshëm nëse nuk mbështetet nga një qeveri e përkushtuar për të luftuar paligjshmërinë dhe për të siguruar qeverisje të mirë.

Gjithashtu, ai kërkoi përdorimin e aseteve të ngrira të Rusisë për rindërtimin e Ukrainës, si pjesë e një raporti të miratuar nga Këshilli i Evropës.

Postimi i plotë i kryetarit të PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha:

Lufta kundër korrupsionit, ndarja e politikës nga krimi dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ishin në qendër të diskutimit që zhvillova me Lord Richard Keen, anëtar i Partisë Konservatore dhe pjesë e Dhomës së Lordëve, si dhe Ministër i Drejtësisë në hije në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.

Në Shqipëri, korrupsioni mbetet një sfidë madhore, edhe pse SPAK ka bërë përparime të rëndësishme në luftën kundër tij. Korrupsioni i përhapur gjerësisht ka ndikuar negativisht në jetesën e shqiptarëve, gjysma e popullsisë jetojnë në varfëri, dhe numri i atyre që emigrojnë është me i larti në Balllan.

Hetimet e SPAK për zyrtarë dhe deputet të Edi Ramës kanë faktuar ndërhyrjet e krimit të organizuar në proceset zgjedhore, duke deformuar vullnetin e shqiptarëve dhe si këmbim qeverisja është vënë në sherbim të organizatave kriminale

Pavarësisht përpjekjeve të SPAK dhe Gjykatës së Posaçme për të hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin, progresi nuk do të jetë i mjaftueshëm nëse nuk mbështetet nga një qeveri e përkushtuar për të luftuar paligjshmërinë dhe për të siguruar qeverisje të mirë.

Në këtë takim me Lord Keen, diskutuam gjithashtu për rolin e tij si Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës. Unë ritheksova rëndësinë që BE dhe NATO duhet t’i japin njohjes së Kosovës për stabilitetin e rajonit dhe përshpejtimin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës, si interesi më i mirë i shqiptarëve dhe serbëve që bashkëjetojnë në Kosovë.

Folëm gjithashtu për Ukrainën, ku theksova nevojën për të përdorur asetet e ngrira të Rusisë për të financuar rindërtimin e vendit. Rusia mban përgjegjësi për shkatërrimet e shkaktuara dhe duhet të kompensojë dëmet në përputhje me ligjin ndërkombëtar, si pjesë e raportit tim të miratuar nga Këshilli i Evropës, që synon gjithashtu parandalimin e agresioneve të ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat